Please enter at least 3 characters.

Komuna e Rahovecit jep sqarim lidhur me ndërprerjen e kontratës së punës së drejtorit të ShFMU “Heronjtë e Kosovës” në Hoçë të Vogël

Zyra Ligjore në kuadër të Zyrës së Kryetarit të Komunës së Rahovecit ka dalë me një sqarim zyrtar lidhur me vendimin e Kryetarit të Komunës, me numër protokolli 02/6693, të datës 6 nëntor 2025, që ka të bëjë me ndërprerjen e kontratës së punës së drejtorit të Shkollës Fillore dhe të Mesme të Ulët “Heronjtë e Kosovës” në Hoçë të Vogël, z. Ramadan Krasniqi.

Në njoftim theksohet se vendimi është marrë pas shqyrtimit të procedurave ligjore dhe administrative, si dhe pas përfundimit të procesit të inspektimit nga Inspektorati i Arsimit, përfshirë vendimet e shkallës së parë dhe të dytë, të cilat janë bashkëngjitur dokumentacionit zyrtar.

Sipas sqarimit, Drejtoria e Arsimit në Komunën e Rahovecit kishte shpallur konkursin për pozitën e drejtorit të kësaj shkolle në korrik të vitit 2022, ndërsa pas zhvillimit të procedurave të konkursit dhe rekomandimit të komisionit përkatës, z. Ramadan Krasniqi ishte emëruar drejtor më 8 nëntor 2022.

Megjithatë, bazuar në gjetjet e Inspektoratit të Arsimit dhe vendimet pasuese, Komuna e Rahovecit është obliguar të ndërmarrë procedurat ligjore për ndërprerjen e kontratës dhe emërimin e një kandidati tjetër në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Vendimi i Kryetarit të Komunës për ndërprerjen e kontratës është marrë në pajtim me këto rekomandime dhe është nënshkruar më 6 nëntor 2025. /Telegrafi/