Komuna e Podujevës mbështet gratë fermere me motokultivatorë dhe serra
Komuna e Podujevës, në bashkëpunim me organizatën CARE International, ka shpërndarë sot motokultivatorë me frezë dhe plug për gratë fermere, përfshirë edhe ato nga grupet e margjinalizuara, me synim fuqizimin e tyre në sektorin e bujqësisë.
Në ceremoninë e organizuar mori pjesë kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, i cili theksoi rëndësinë e këtij projekti për zhvillimin ekonomik dhe vetëpunësimin e grave në zonë.
“Ky është një hap konkret për të krijuar mundësi të reja për gratë fermere. Ne do të jemi gjithmonë në mbështetje të tyre dhe të gjithë fermerëve të komunës sonë”, tha Bulliqi.
Së bashku me drejtoreshën e Bujqësisë, Lirie Hoti, ai uroi përfitueset dhe shprehu përkushtimin e komunës për të vazhduar politikat e mbështetjes së bujqësisë.
Në kuadër të projektit janë në proces edhe montimi i 15 serrave të reja, duke e çuar në 24 numrin e grave përfituese.
Ky program synon të forcojë rolin e grave në zhvillimin rural dhe të nxisë gjenerimin e të ardhurave përmes aktiviteteve bujqësore. /Telegrafi/


