Komuna e Kamenicës hap aplikimin për verifikimin e gjendjes ekonomike-sociale të përfituesve të banimit social
Komuna e Kamenicës ka njoftuar fillimin e procesit të aplikimit për verifikimin e gjendjes ekonomike dhe sociale të familjeve dhe individëve që aktualisht shfrytëzojnë njësitë e banimit social me qira joprofitabile.
Sipas njoftimit zyrtar, ky proces realizohet në bazë të Ligjit Nr. 03/L-164 për Financimin e Programeve të Veçanta të Banimit dhe udhëzimeve administrative përkatëse, me qëllim përcaktimin e të drejtës për vazhdimin e shfrytëzimit të banesave sociale.
Të gjithë përfituesit aktualë të banimit social janë të obliguar të paraqesin aplikimin për verifikim të gjendjes së tyre ekonomike dhe sociale brenda afatit 15 ditor kalendarik nga dita e publikimit të njoftimit. Aplikacionet që dorëzohen pas këtij afati nuk do të shqyrtohen.
Aplikimet mund të dorëzohen në Qendrën për Shërbime me Qytetarë në objektin e Komunës së Kamenicës, në katin e parë. Formularët e aplikimit mund të merren në Qendrën për Shërbime me Qytetarë, pranë Zyrës së Drejtorisë për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, në Qendrën për Punë Sociale, ose të shkarkohen nga faqja zyrtare e komunës.
Për plotësimin e aplikimit kërkohen dokumente si fotokopja e letërnjoftimit të parashtruesit, certifikatat e lindjes për anëtarët e familjes, certifikata familjare, vërtetim mbi vendbanimin e përhershëm, të dhënat për anëtarët e punësuar dhe burimet e tyre të ardhurash, si dhe dokumente shtesë sipas rastit, përfshirë vërtetime për statusin e familjes së dëshmorit ose përkujdesje ndaj fëmijëve jetimë.
Komuna ka bërë të ditur se mosdorëzimi i aplikacionit dhe dokumenteve të kërkuara brenda afatit mund të rezultojë në shkëputjen e kontratës së qirasë, në përputhje me nenin 13 të Ligjit Nr. 03/L-164.
Procesi i verifikimit do të realizohet nga Komisioni Vlerësues për Banimin Social në Komunën e Kamenicës, me qëllim garantimin e drejtësisë dhe transparencës në shfrytëzimin e njësive të banimit social. /Telegrafi/


