Please enter at least 3 characters.

Komuna e Gjakovës u bën thirrje bizneseve të respektojnë orarin e punës, paralajmëron kontrolle nga Inspektorati

Komuna e Gjakovës u ka bërë thirrje të gjitha subjekteve ekonomike që ushtrojnë veprimtari në territorin e komunës të respektojnë orarin e punës, në përputhje me rregulloren komunale në fuqi.

Sipas një njoftimi të komunës, obligimi për respektimin e orarit bazohet në Rregulloren Nr. 01/110-04-41197/2019 për Orarin e Punës së Veprimtarive Ekonomike.

Komuna ka bërë të ditur se të gjitha bizneset që synojnë ta zhvillojnë aktivitetin e tyre përtej orarit të përcaktuar duhet të pajisen paraprakisht me pëlqimin përkatës, në përputhje me nenin 29 të kësaj rregulloreje.

"Njoftohen të gjitha subjektet ekonomike se janë të obliguara ta respektojnë orarin e punës të përcaktuar me Rregulloren Nr. 01/110-04-41197/2019. Subjektet që kanë nevojë ta ushtrojnë veprimtarinë e tyre përtej këtij orari duhet të pajisen me pëlqim, në përputhje me nenin 29 të rregullores", thuhet në njoftim.

Po ashtu, Komuna e Gjakovës ka njoftuar se mbikëqyrjen e zbatimit të rregullores do ta kryejë Inspektorati i Shërbimeve Publike.

Autoritetet komunale u kanë bërë thirrje bizneseve që t'u përmbahen dispozitave në fuqi, me qëllim të shmangies së shkeljeve dhe masave që mund të ndërmerren nga organet kompetente. /Telegrafi/