Please enter at least 3 characters.

Arrestimi i disa zyrtarëve, Komuna e Fushë Kosovës: Nuk do të tolerojmë keqpërdorimin e pronës publike

Komuna e Fushë Kosovës ka njoftuar se mirëpret çdo veprim të institucioneve të drejtësisë që synon zbardhjen e rasteve të dyshuara të keqpërdorimit të pronës publike.

Në një deklaratë për opinionin publik, Komuna ka bërë të ditur se lidhur me rastin e 8 shtatorit ka ndërmarrë masa institucionale ndaj zyrtarëve për të cilët, sipas saj, ekzistojnë dyshime për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Komuna ka shprehur gatishmërinë për bashkëpunim të plotë me Policinë e Kosovës dhe institucionet e tjera kompetente, me qëllim që pretendimet të hetohen deri në fund.

Sipas Komunës, Fushë Kosova ka pësuar ndër vite dëme nga keqpërdorimi dhe tjetërsimi i pronës publike, ndërsa zhvillimi i madh demografik ka rritur nevojën për hapësira publike për shkolla, çerdhe, parqe dhe infrastrukturë tjetër.

“Ne nuk do të mbrojmë askënd dhe nuk do të tolerojmë keqpërdorimin e pasurisë publike, pavarësisht se kush mund të jetë i përfshirë”, thuhet në deklaratë.

Megjithatë, Komuna ka theksuar se nuk paragjykon asnjë person dhe se përfundimet duhet t’u lihen hetimeve dhe institucioneve kompetente.

“Prona publike është e qytetarëve. Ajo nuk është për t’u keqpërdorur — është për t’u shërbyer qytetarëve”, ka përfunduar Komuna e Fushë Kosovës në deklaratën e saj. /Telegrafi/