Please enter at least 3 characters.

Komuna e Fushë Kosovës ndan 130 mijë euro për përkrahjen e start-up bizneseve

Komuna e Fushë Kosovës ka hapur thirrjen publike për përkrahjen financiare të start-up bizneseve inovative dhe bizneseve të reja për vitin 2026.

Sipas njoftimit të komunës, programi do të menaxhohet përmes Drejtorisë për Zhvillim Ekonomik dhe Tatim në Pronë, ndërsa për këtë qëllim janë ndarë gjithsej 130 mijë euro.

Komuna ka bërë të ditur se nga kjo skemë mbështetëse pritet të përfitojnë mes 30 dhe 40 biznese të reja, me fokus të veçantë te të rinjtë, gratë ndërmarrëse dhe idetë inovative që kanë ndikim në komunitet.

Afati për aplikim do të jetë i hapur nga 8 deri më 28 qershor 2026.

Përmes kësaj thirrjeje, autoritetet komunale synojnë të mbështesin zhvillimin e aktiviteteve ekonomike lokale, nxitjen e ndërmarrësisë dhe krijimin e vendeve të reja të punës në territorin e Fushë Kosovës.

Komuna ka ftuar të gjithë qytetarët që kanë ide biznesi të aplikojnë dhe të përfitojnë nga programi i mbështetjes financiare për nisjen ose zhvillimin e aktivitetit të tyre ekonomik. /Telegrafi/