KMShK dhe AGK i reagojnë KQZ-së për mosakreditimin e mediave për zgjedhjet e 12 tetorit
Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës (KMShK) dhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) kanë shprehur shqetësimin e tyre për vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për mosakreditimin e disa mediave për zgjedhjet e 12 tetorit.
KMShK e konsideron vendimin e KQZ-së të papranueshëm dhe të dëmshëm për lirinë e medias dhe informimin e drejtë e transparent gjatë ditës së zgjedhjeve.
Sipas KMShK-së, mediat anëtare të këtij trupi vetërregullues plotësojnë të gjitha kriteret e kërkuara për veprimtari mediale dhe dokumentacioni i tyre është vlerësuar i rregullt edhe nga Zyra për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike. Këshilli i bën thirrje Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) që të marrë vendim meritor për t’i siguruar trajtim të barabartë të të gjitha mediave.
Ndërkaq, AGK-ja ka reaguar për mosakreditimin e disa mediave në gjuhën shqipe, përfshirë Reporteri.Net dhe Mitropol, si dhe të gjitha mediave në gjuhën serbe dhe disa mediave ndërkombëtare.
Asociacioni e cilëson këtë vendim si të jashtëligjshëm, të papranueshëm dhe shumë të rrezikshëm për lirinë e medias në vend, duke kërkuar nga KQZ-ja të marrë vendime të reja që lejojnë punën e papenguar të ekipeve mediale në ditën e zgjedhjeve. /Telegrafi/


