Klubi gjerman i mesit të renditjes u çudit kur pa Sterlingun që iu afrua për transferim
Drejtori sportiv i Union Berlin, Horst Heldt, ka konfirmuar se Raheem Sterling (31) i është ofruar klubit gjerman, por transferimi i ish-sulmuesit të Chelseat nuk është marrë seriozisht në konsideratë për shkak të kërkesave shumë të larta financiare.
Sterling është aktualisht lojtar i lirë, pasi arriti një marrëveshje për ndërprerjen e kontratës me Chelsean, raportojnë mediat britanike.
Ish-reprezentuesi anglez është në kërkim të një klubi të ri pas largimit nga "Stamford Bridge", i konfirmuar javën e kaluar. Në sezonet e fundit, Sterling ka pasur vështirësi për të siguruar minuta të rregullta.
Në sezonin 2023/24 ai zhvilloi 31 paraqitje në Ligën Premier, ndërsa sezonin 2024/25 e kaloi si i huazuar te Arsenali. Megjithatë, nën drejtimin e Mikel Artetës, ai nuk arriti të bindë plotësisht, duke luajtur 17 ndeshje në kampionat, por duke qenë titullar vetëm 7 herë.
Pas rikthimit te Chelsea, Sterling u përjashtua nga skuadra e parë dhe u vendos në grupin e lojtarëve jashtë planeve të klubit.
Oferta për Union Berlin, por pa shanse reale
Union Berlin konfirmoi se emri i Sterling u propozua, por klubi nuk e shqyrtoi ofertën. Anësori anglez thuhet se fitonte mbi 300 mijë funte në javë te Chelsea, një shifër jashtë realitetit financiar të Unionit, i cili aktualisht renditet i nënti në Bundesligë.
Heldt deklaroi shkurt: “Më duhej të fërkoja sytë. Oferta nuk dukej serioze dhe nuk e morëm më tej”.
Sterling, 31 vjeç, me 82 paraqitje për Kombëtaren e Anglisë, shpreson të gjejë së shpejti një klub të ri dhe të mbyllë karrierën e tij me dinjitetin që i takon një lojtari me CV kaq të pasur. /Telegrafi/


