Klopp: Dy golat erdhën nga situatat e njëjta, humbja nuk na ndal
Jurgen Klopp ka folur pas ndeshjes së Liverpoolit në udhëtim te Manchester United.
Liverpooli humbi me rezultat të ngushtë 2-1 në udhëtimin e tyre në Old Trafford në ndeshjen e vlefshme për javën e 30-të të Ligës Premier.
Golat për Djajtë e Kuq u shënuan nga Marcus Rashford (14', 24'), ndërsa Reds ngushtuan epërsinë me një autogol të Eric Baillyt.
Pas ndeshjes ka folur trajneri gjerman, Klopp, i cili ka thënë se nuk ka çfarë të flet më shumë pasi dy golat erdhën nga e njëjta situatë, me të njëjtin lojtar.
"Kur ekipi tjetër shënon dy herë dhe ju shënoni një herë ... askush nuk mund të ketë një argument të madh në lidhje me të", ka thënë fillimisht Klopp.
"Dy golat erdhën nga situatat e njëjta. Ju nuk mund ta lëni vetëm një lojtar".
"Nuk do të ndalemi. Natyrisht se ka rëndësi vendi i dytë, por ne kemi nevojë për të fituar ndeshjet e futbollit".
"Ne luajmë kundër Watfordit në ndeshjen tjetër. Ne jemi vazhdimisht nën presion", përfundoi trajneri i Liverpoolit. /Telegrafi/


