Kjo orë kushton 1.5 milion dollarë - në dorë mund ta mbajë vetëm djali i miliarderit indian
Djali i njeriut më të pasur në Azi ka marrë një orë të re me vlerë rreth 1.5 milion dollarë (1.28 milion euro), në të cilën është i vendosur vetë ai, i ulur në një fron të artë.
Ky model unik, i quajtur “Vantara Green Camo”, paraqet Anant Ambanin (30 vjeç), të rrethuar nga 397 gurë të rrallë, të cilët simbolizojnë gjelbërimin e rezervatit të tij për kafshë të egra “Vantara”, me një sipërfaqe prej rreth 12 kilometrash katrorë.
Në orë gjenden gjithashtu figura miniaturë të një tigri dhe një luani, si dhe një numërues me motiv elefanti. Ambani e ka porositur këtë orë nga kompania luksoze amerikane Jacob & Co.
Anant është djali më i vogël i Mukesh Ambanit, kryetar dhe drejtor ekzekutiv i kompanisë “Reliance Industries”, firma më e madhe publike në Indi.
Mukesh Ambani është njeriu më i pasur në Azi dhe i 16-ti më i pasur në botë.
Rezervati “Vantara”, i hapur nga Anant në vitin 2024 në shtetin Gujarat të Indisë, është një nga projektet më të mëdha për mbrojtjen e kafshëve në botë dhe strehon mbi 2000 kafshë nga 43 specie të ndryshme. /Telegrafi/


