Please enter at least 3 characters.

KFF Dukagjini fiton Kupën e Kosovës pas dramës në penallti

KFF Dukagjini ka fituar Kupën e Kosovës në futboll për edicionin aktual, pasi mposhti KFV Prishtina pas ekzekutimit të penalltive me rezultat 5:4.

Finalja e zhvilluar sot (e mërkurë) dhuroi spektakël dhe emocione deri në fund, koha e rregullt dhe vazhdimet u mbyllën me rezultat 1:1, ndërsa fituesi u përcaktua vetëm nga pika e bardhë.

Skuadra nga Klina kaloi në epërsi shumë herët, kur Olsa Kuçi realizoi në minutën e pestë për 1:0.

Kur gjithçka po shkonte drejt triumfit të Dukagjinit në kohën e rregullt, Rreze Gashi barazoi për prishtinaset në minutën e 87-të, duke e çuar ndeshjen në vazhdime.

Në dy vazhdimet prej 15 minutash, të dyja skuadrat krijuan raste të mira shënimi dhe goditën nga një herë shtyllën, por gola të tjerë nuk pati.

Heroina e finales ishte portierja Lavdie Behramaj, e cila priti penalltinë vendimtare të Erjona Mehmetit dhe i siguroi trofeun e Kupës skuadrës së Dukagjinit.

Te Dukagjini të sakta nga penalltia ishin Xhenifer Pjetri, Ema Kadriu, Ylberina Berishaj, Arbesa Kastrati dhe Albina Hoti.

Ndërkohë, për Prishtinën realizuan Liridona Leka, Rreze Gashi, Fatime Beha dhe Ema Hoti, derisa Mehmeti dështoi në penalltinë e pestë dhe vendimtare.

Dukagjini tashmë ka mundësinë ta mbyllë sezonin me dy trofe, pasi edhe ekipi i meshkujve do të luajë finalen e Kupës së Kosovës.

Më 21 maj nga ora 20:00, KF Dukagjini do të përballet me KF Ferizaj në finalen e madhe. /Telegrafi/