Please enter at least 3 characters.

Këtë gabim e bëjnë pothuajse të gjithë në kuzhinë - sirtari poshtë furrës ka tjetër funksion

Një detaj i harruar që mund t’ju lehtësojë çdo gatim

Sirtari poshtë furrës te sobat klasike elektrike shpesh shihet si një vend praktik për të ruajtur enë që përdoren rrallë. Në shumë shtëpi aty mbahen tepsi, kapakë, tiganë, madje edhe sende që nuk kanë lidhje me gatimin, si vegla të vogla pune, letra smerili apo lecka pastrimi. Pikërisht për këtë arsye, shumë njerëz nuk e dinë funksionin e tij të vërtetë.

Edhe pse duket joshëse ta përdorim këtë hapësirë si depo shtesë, sirtari poshtë furrës nuk është projektuar për ruajtje, por ka një rol praktik në kuzhinë. Funksioni i tij kryesor është mbajtja e ushqimit të ngrohtë. Ai shërben si një lloj sirtari ngrohës”, që lejon ruajtjen e temperaturës së ushqimit të gatuar, derisa të përfundojnë pjesët e tjera të vaktit ose derisa të ulen të gjithë në tryezë.

Për shembull, pjatat, buka, mishi apo gatimet e pjekura mund të vendosen aty për të mos u ftohur, pa u tharë apo pa u mbigatuar, siç mund të ndodhë nëse futen sërish në furrë. Kjo është veçanërisht e dobishme kur përgatisni ushqim për mysafirë ose kur gatimi kërkon servirje të njëkohshme të disa pjatave, transmeton Telegrafi.

Një tjetër përdorim shumë praktik i këtij sirtari është ndihma në përgatitjen e brumit. Enët me brumë që duhet të vijë para pjekjes mund të vendosen në sirtar, sepse nxehtësia e lehtë dhe konstante krijon kushte ideale për procesin e fermentimit. Kjo e ndihmon brumin të rritet më mirë, të fitojë strukturë më të butë dhe të jetë gati për pjekje perfekte.

Ky është një truk i thjeshtë, por shpesh i neglizhuar, që mund ta bëjë gatimin më të lehtë dhe kuzhinën më funksionale. Duke e përdorur sirtarin poshtë furrës për atë që është menduar, jo vetëm që shmangni dëmtimin e enëve nga nxehtësia e padukshme, por edhe siguroni që ushqimi të ruajë shijen, pamjen dhe temperaturën ideale deri në momentin e servirjes.

Këshillë e rëndësishme

Jo të gjitha sobat kanë sirtar ngrohës - te disa modele ai është vetëm hapësirë ruajtjeje. Nëse nuk jeni të sigurt, kontrolloni manualin e pajisjes ose testoni nëse sirtari ngrohet gjatë përdorimit të furrës. /Telegrafi/