Kërkohet paga e 13-të edhe për sektorin privat, sindikata i drejtohet Kuvendit
Federata Sindikale e Punëtorëve të Sektorit Privat të Kosovës i është drejtuar Kuvendit të Kosovës me një kërkesë-propozim, duke kërkuar trajtim të barabartë mes punëtorëve të sektorit privat dhe atij publik.
Në letrën e dërguar kryetares së Kuvendit, Albulena Haxhiu, disa Komisioneve Parlamentare si dhe Grupit parlamentar të LVV-së, PDK-së, LDK-së dhe AAK-së, sindikata shpreh shqetësimin për, siç thuhet, pabarazinë e theksuar në paga dhe benefite ndërmjet dy sektorëve.
Sipas tyre, punëtorët e sektorit privat po përjashtohen nga përfitime si paga e 13-të dhe benefite të tjera që tashmë aplikohen në sektorin publik.
Kryetari i kësaj federate, Jusuf Azemi, thekson se kjo situatë po ndikon negativisht në tregun e punës, duke nxitur largimin e profesionistëve nga sektori privat drejt atij publik, për shkak të kushteve më të favorshme.
Në kërkesë, theksohet se, përveç mungesës së pagës së 13-të, në sektorin privat shpesh nuk respektohen as të drejtat bazike të punës, përfshirë pagën minimale, orarin e punës dhe kompensimet për punë shtesë, punë nate dhe gjatë festave zyrtare.
Sindikata kërkon që Kuvendi i Kosovës, përmes Komisionit për Legjislacion, të hartojë dhe miratojë një draft-ligj që do të obligonte punëdhënësit privatë të sigurojnë një pagë shtesë vjetore për punëtorët, në mënyrë që të eliminohet pabarazia ekzistuese.
Ata i bëjnë thirrje institucioneve që ta trajtojnë me urgjencë këtë çështje, duke e konsideruar si një padrejtësi të vazhdueshme ndaj punëtorëve të sektorit privat në Kosovë. /Telegrafi/


