Please enter at least 3 characters.

Katër persona të lënduar rëndë nga aksidenti në Xërxë dërgohen në QKUK, një fëmijë i nënshtrohet operimit

Foto: Ilustrim

Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur në orët e hershme të mëngjesit të së hënës në rrugën Gjakovë–Prizren, në fshatin Xërxë, ku si pasojë gjashtë persona kanë pësuar lëndime trupore.

Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj, i cili bëri të ditur se aksidenti ka ndodhur rreth orës 05:40.

"Sot rreth orës 05:40, ka ndodhur një aksident trafiku në rrugën Gjakovë–Prizren, në fshatin Xërxë. Në aksident kanë qenë të përfshira dy automjete dhe, për pasojë, gjashtë persona kanë pësuar lëndime dhe janë dërguar për trajtim mjekësor. Njësia Rajonale e Trafikut Rrugor është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore lidhur me aksidentin", ka deklaruar Elezaj për Telegrafin.

Ndërkohë, katër nga të lënduarit janë transferuar për trajtim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Drejtori i Klinikës Emergjente në QKUK, Naser Syla, ka konfirmuar për Telegrafin se njëri prej të lënduarve, një fëmijë, i është nënshtruar ndërhyrjes kirurgjikale.

"Katër të aksidentuar i ka sjellë Spitali i Gjakovës. Janë kryer ekzaminimet e nevojshme. Njëri nga të lënduarit u dërgua në sallën operative nga Kirurgjia e Fëmijëve dhe Anestezioni. Tre të tjerët janë duke i kompletuar ekzaminimet dhe konsultat e nevojshme në Klinikën Emergjente. Gjendja e tyre është stabile, edhe pse me lëndime të rënda", ka thënë Syla për Telegrafin.

Policia e Kosovës ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat dhe shkaqet që çuan deri te aksidenti. /Telegrafi/