Please enter at least 3 characters.

"Katastrofë absolute": Talljet dhe memet për veshjet e prezantueseve të Eurovisionit nuk ndalen

Nata e dytë gjysmëfinale e Eurovisionit 2025 u mbajt mbrëmë në qytetin e Bazelit në Zvicër, por përveç performancave muzikore, vëmendje të madhe morën edhe veshjet e dy prezantueseve të mbrëmjes: Hazel Brugger dhe Sandra Studer.

Të dyja u shfaqën me kostume të punuara nga materiale të ricikluara – një zgjedhje që ishte menduar të ishte një mesazh ekologjik, por që u prit me kritika të ashpra nga publiku në rrjete sociale, veçanërisht në platformën X (ish-Twitter).

“Pse janë veshjet e prezantueseve kaq të çuditshme?”, “Ato shkëlqime gjigante? Kurrë s’i kam parë më parë. Sikur të ishte shndërruar në një peshk”, “Këto prezantuese janë të tmerrshme”, “Kjo duket si veshje nga mbeturinat – tani çdo gjë ka kuptim”, “Seksioni i kostumeve: Sa shumë shkëlqim doni? Ato: Po!”, “Çmimi për kostumet më të këqija në historinë e Eurovisionit shkon për…”, “Katastrofë absolute” – janë vetëm disa nga komentet që po qarkullojnë në internet.

Hazel Brugger është një poete, komediane dhe prezantuese me origjinë zvicerano-amerikane, ndërsa Sandra Studer është një figurë e njohur televizive dhe këngëtare në Zvicër.

Ajo e ka përfaqësuar Zvicrën në Eurovisionin e vitit 1991, ku ka zënë vendin e pestë.

Nga nata e dytë gjysmëfinale, ku konkurruan gjithsej 16 shtete, vetëm 10 prej tyre arritën të kualifikohen në finalen e madhe që do të mbahet të shtunën.

Ndërkohë, Serbia dhe Mali i Zi nuk ia dolën të sigurojnë një vend në finale.

Shtetet që kaluan nga kjo natë janë:

Lituania
Izraeli
Armenia
Danimarka
Austria
Luksemburgu
Finlanda
Letonia
Malta
Greqia. /Telegrafi/