Kastrioti fiton finalen e parë dhe afrohet drejt titullit kampion
Klubi i hendbollit Kastrioti ka bërë një hap shumë të rëndësishëm drejt shpalljes kampion i Kosovës në konkurrencën e meshkujve, pasi triumfoi ndaj Rahovecit me rezultat 37:31 në finalen e parë të playoff-it.
Takimi u zhvillua të mërkurën në arenën “Bill Clinton” në Ferizaj, para rreth 2000 tifozëve, të cilët krijuan atmosferë të zjarrtë në mbështetje të skuadrës vendase.
Fillimi i ndeshjes ishte i baraspeshuar, me të dy skuadrat që zhvilluan lojë të fortë gjatë dhjetë minutave të para.
Megjithatë, Kastrioti më pas mori kontrollin e plotë të takimit duke realizuar një seri prej 7:0, që i dha epërsi të rëndësishme 15:9, ndërsa më vonë rezultati shkoi edhe në 17:10.
Rahoveci provoi të rikthehej në lojë gjatë pjesës së mbetur të takimit, por ferizajasit ruajtën avantazhin dhe menaxhuan ndeshjen deri në fund për të siguruar fitoren e parë në serinë finale.
Më efikasi te Kastrioti ishte Jeton Bislimi me tetë gola të realizuar, ndërsa Festim Mustafa dhe Albin Ahlin shtuan nga gjashtë gola secili.
Portieri Wadi Chebbi ishte sërish një nga lojtarët më të dalluar me pritje vendimtare gjatë gjithë ndeshjes.
Te Rahoveci u veçua Egzon Gjuka me shtatë gola, ndërsa Ardit Tafilaj, Mali Luzha dhe Guilherme Fernandes realizuan nga pesë gola secili.
Finalja e dytë e playoff-it zhvillohet të shtunën në Rahovec, ku Kastrioti do të synojë fitoren e radhës për t’u afruar edhe më shumë titullit kampion. /Telegrafi/


