Kapet me 111 km/h në zonën 50, 37-vjeçari ndëshkohet me 300 euro gjobë dhe pikë negative
Një shofer është ndëshkuar nga Policia e Kosovës për tejkalim të shpejtësisë së lejuar në fshatin Prelez i Muhaxherëve, në komunën e Ferizajt.
Sipas Policisë Rajonale të Ferizajt, rreth orës 05:00 të mëngjesit, njësia e Komunikacionit Rrugor ka ndaluar një automjet të tipit BMW 318 me targa të huaja në rrugën magjistrale.
Gjatë kontrollit është konstatuar se shoferi me inicialet H.S. (37) po lëvizte me shpejtësi prej 111 km/h në një segment rrugor ku kufizimi i lejuar është 50 km/h. Shpejtësia është matur me radar laserik.
Për këtë kundërvajtje, policia i ka shqiptuar shoferit një gjobë prej 300 euro, 3 pikë negative dhe masën mbrojtëse të ndalimit të drejtimit të mjetit motorik për tre muaj.
Policia Rajonale e Ferizajt ka bërë të ditur se do të vazhdojë kontrollet dhe aktivitetet e shtuara në trafik me synim rritjen e sigurisë rrugore dhe respektimin e rregullave të komunikacionit. /Telegrafi/


