Kandidatët për President të Kosovës – çka dihet dhe çfarë është spekulim
Pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit, tashmë pritet formimi i institucioneve, ku pastaj Kosova duhet të zgjedhë edhe presidentin ose presidenten e re.
Presidentja aktuale, Vjosa Osmani, ka konfirmuar publikisht se synon të kandidojë për një mandat të dytë. Mandati i saj aktual përfundon në prill të këtij viti.
Në rrjetet sociale dhe në diskursin publik kanë qarkulluar disa emra si kandidatë të mundshëm, por deri tani nuk ka asnjë konfirmim zyrtar.
Mes spekulimeve më të shpeshta është edhe familja Jashari.
Lulzim Jashari, djali i komandantit legjendar Adem Jashari, është përmendur dhe i janë shpërndarë edhe foto në rrjetet sociale, por i njëjti deri më tani nuk ka dhënë asnjë deklaratë për kandidaturën e mundshme.
Edhe Lumir Abdixhiku, kryetar i LDK-së, përmendet si kandidat potencial, por as ai personalisht e as partia që udhëheq nuk kanë konfirmuar diçka zyrtare.
Ai ka theksuar rëndësinë e komunikimit brenda spektrit të gjerë politik dhe u shpreh i gatshëm të bashkëbisedojë me të gjitha partitë për çështjen e zgjedhjes së një presidenti konsensual të Kosovës, duke sqaruar se dialogu nuk nënkupton “pazare politike”.
Nga ana tjetër, Ramush Haradinaj diskutohet si kandidat i mundshëm konsensual i opozitës.
Sipas Pal Lekajt, nënkryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Haradinaj është në komunikim me kryetarët e PDK-së dhe LDK-së, por ende nuk ka vendim përfundimtar dhe nuk dihet se sa kanë avancuar bisedimet.
Në anën tjetër profesori i Fakultetit Juridik, Kolë Krasniqi, ka bërë të ditur se është propozuar si kandidat për President të Republikës së Kosovës.
Ai në një postim në Facebook ka deklaruar se Republika e Kosovës ka nevojë për institucione që gëzojnë besim.
Në rast se presidenti nuk zgjidhet brenda afatit kushtetues, Kosova mund të shkojë drejt zgjedhjeve të reja, por partitë politike kanë theksuar se duhet të ketë diskutime paraprake për të ruajtur stabilitetin institucional.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpallur rezultatet finale, dhe së shpejti pritet krijimi i institucioneve të reja – Kuvendi dhe qeveria. Pas formimit të tyre, rendi i ditës do të përfshijë edhe zgjedhjen e presidentit të ri për një mandat pesëvjeçar./Telegrafi/


