Ka njerëz që janë të bindur se dinë gjithçka, por bindja e tyre është gjithçka që ata dinë!
Nga: Guendalina Middei
Përktheu: Elona Caslli
E keni menduar ndonjëherë pse gjuha italiane është një prej gjuhëve të pakta në botë që ka mënyrën lidhore? Dhe, pse mediat dhe gazetat e përdorin gjithnjë më pak këtë mënyrë? Nuk ka të bëjë fare me injorancën, ose më saktë, nuk hyn veç injoranca; ka një arsye tjetër, më të ndryshme dhe më të hollë se injoranca.
Mënyra lidhore është mbreti i fjalës "Ndoshta"; shpreh një situatë hipotetike, shërben për të formuluar hipoteza, hamendësime, teori. Është sikur të shkosh në një takim me sy të mbyllur; gjithçka "duket" "ngjan se" "mund të jetë".
Dëftorja, përkundrazi, shpreh siguri. Ja, merrni shprehjen: "Nuk e di a mund të jetë ky vendimi i duhur". Nëse e formuloj në mënyrën dëftore: "Ky është vendimi i duhur", kuptimi i shprehjes ndryshon rrënjësisht.
Dhe, ky është thelbi: shoqëria jonë është shoqëria e sigurive dhe jo e dyshimeve dhe e pyetjeve. Të paktë janë ata që mendojnë, pyesin, shtrojnë hipoteza; përkundrazi, të gjithë dinë dhe pohojnë.
Pak "mendojnë se", ndërsa të gjithë "garantojnë se" dhe "janë të sigurt se".
Shoqëria jonë e ka kthyer idiotësinë në art dhe arrogancën në stil jete. Kur të takoni ata, që Luciano De Crescenzo i quan "Kalorësit e Sigurive të Mëdha", atëherë duhet të keni frikë sepse Siguria Absolute shumë shpesh shndërrohet në dhunë ose në idiotësi të mirëfilltë.
Dhe, të rinjve, që pyesin se për çfarë u duhet mënyra lidhore dhe pse duhet të sforcohen për ta mësuar, dua t'u përgjigjem kështu: Mënyra dëftore është si shtëpia jote; e di me siguri ku të shpie ajo derë, çfarë ka në fund të shkallëve, çfarë fshihet pas tendës. Ti e di çfarë do të thotë çdo banor, çfarë do të mendojë dhe si do të reagojë. Me pak fjalë, një jetë krejt e parashikueshme dhe e mërzitshme. Kultivoni brenda vetes dehjen e dyshimit, bëjini vetes pyetje të vazhdueshme, hyni në aventurën dhe në mbretërinë e fjalës "ndoshta".
Fjala "ndoshta" është fjala më e bukur e gjuhës sonë. "Sepse hap mundësi dhe jo siguri; sepse nuk kërkon fundin, por shkon drejt pafundësisë". Mos e harroni kurrë se ka njerëz që janë të bindur se dinë gjithçka, por për fat të keq bindja e tyre është gjithçka që ata dinë. /Telegrafi/


