Jusuf Azemi paralajmëron bojkot dhe protestë: Punëtorët teknikë të shkollave në Prishtinë nuk do të dalin në punë pa u ekzekutuar pagat
Kryetari i Federatës Sindikale të Punëtorëve Teknikë të Sektorit Privat të Kosovës (FSPTSPK), Jusuf Azemi ka paralajmëruar se punëtorët teknikë të shkollave fillore në Komunën e Prishtinës do të ndërpresin punën dhe do të protestojnë, nëse nuk u paguhen pagat për muajin qershor.
Sipas një njoftimi të postuar në rrjetin social Facebook nga Jusuf Azemi, vendimi është marrë në takimin e mbajtur të martën, më 22 korrik, si reagim ndaj mosrealizimit të pagave për punëtorët teknikë.
“Nga e marta, më 28 korrik 2026, punëtorët teknikë të shkollave fillore nuk do të paraqiten fare në vendet e tyre të punës deri në momentin e kryerjes së pagesës së pagave për muajin qershor 2026”, thuhet në njoftim.
Federata ka bërë të ditur se, nëse situata nuk ndryshon, të mërkurën punëtorët pritet të organizojnë protestë para objektit të Komunës së Prishtinës.
“Po ashtu, sipas të gjitha gjasave, të mërkurën punëtorët do të protestojnë para Komunës së Prishtinës lidhur me çështjen e mospagesës së pagave”, thuhet më tej.
Azemi ka rikujtuar se në një takim të mëhershëm me nënkryetarin e Komunës së Prishtinës, Florijan Dushi, kishte marrë garanci se pagat për muajin qershor do të ekzekutoheshin pa vonesa.
“Florijan Dushi e kishte garantuar se punëtorët nuk do të kenë probleme me pagesën e pagave për muajin qershor. Megjithatë, deri më tani, pagat ende nuk janë ekzekutuar”, thekson federata.
Njoftimi i është drejtuar kryetarit të Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, nënkryetarit Florijan Dushi dhe kompanisë Schlafberger, duke kërkuar zgjidhjen urgjente të çështjes së pagave.
Federata ka bërë të ditur se veprimet sindikale do të vazhdojnë derisa punëtorëve teknikë t'u realizohen pagat e prapambetura për muajin qershor. /Telegrafi/


