Julian Quinones shënon golin e parë të Kupës së Botës 2026
Kupa e Botës 2026 ka marrë zyrtarisht jetë me golin e parë të turneut, i cili u realizua nga sulmuesi i Meksikës, Julian Quinones.
Në minutën e 9-të të ndeshjes hapëse kundër Afrikës së Jugut, sulmuesi meksikan përfitoi nga një gabim i rëndë në mbrojtjen kundërshtare, mori topin pranë zonës së rreptësisë dhe goditi saktë për ta dërguar në rrjetë.
Goli i Quinones solli shpërthimin e festës në tribunat e stadiumit në Mexico City, ku mijëra tifozë vendas po mbështesin kombëtaren e tyre në startin e turneut më të madh të futbollit.
Meksika kishte paralajmëruar rrezikun që në minutat e para, ndërsa Raul Jimenez ishte shumë pranë golit në minutën e 5-të, por portieri Ronwen Williams reagoi në mënyrë fantastike për të shpëtuar Afrikën e Jugut.
Megjithatë, Williams nuk mundi të bënte asgjë katër minuta më vonë, kur Quinones tregoi gjakftohtësi dhe realizoi golin e parë të Botërorit 2026, duke hyrë menjëherë në historinë e kompeticionit. /Telegrafi/


