Jugi i Libanit po digjet nga luftimet - ushtria izraelite në një ofensivë të re
Kryeministri i Izrael, Benjamin Netanyahu, gjatë një vizite të papritur pranë kufirit me Liban, konfirmoi se trupat izraelite kanë avancuar dhe kanë kaluar në veri të lumit Litani, në jug të qytetit Nabatieh. Ky veprim shënon një përshkallëzim të rëndësishëm dhe zgjerim të ofensivës tokësore izraelite.
Gjatë javës së fundit, forcat izraelite kanë ushtruar presion të madh në lindje të Libanit, të mbështetura nga qindra sulme ajrore, bombardime artilerie dhe dronë, me synimin për të marrë nën kontroll pozicione strategjike në jug të Nabatieh.
Netanyahu deklaroi se forcat izraelite kanë kaluar lumin Litani, i cili përshkon jugun e Libanit rreth 30 kilometra larg kufirit me Izraelin.
“Forcat tona kanë kaluar Litanin dhe kanë avancuar drejt pozicioneve të kontrollit. Ne po veprojmë në Bejrut, në Luginën Bekaa dhe përgjatë gjithë frontit, duke i shkaktuar Hezbollahut goditje shkatërruese”, tha ai.
Deklarata e tij sugjeron se operacionet ushtarake mund të zgjerohen edhe më tej. Më herët, ushtria izraelite urdhëroi evakuimin e banorëve në jug të lumit Litani, ndërsa të enjten lëshoi një urdhër të ri për largimin e popullsisë në jug të lumit Zahrani, rreth 10 kilometra më në veri, duke e shpallur zonën territor lufte.
Nga ana tjetër, burime të sigurisë në Liban pretendojnë se trupat izraelite e kaluan Litani-n pranë fshatit Zawtar al-Sharqiyah, por më pas u tërhoqën në bregun jugor. Të premten, sipas të njëjtave burime, ato e kaluan sërish lumin, por pa një avancim të madh, duke zhvilluar operacione në një pikë lindore pranë kufirit izraelit.
Banorët e Libanit kanë shprehur zemërimin e madh për vazhdimin dhe zgjerimin e operacioneve ushtarake, veçanërisht pasi forcat izraelite kanë hyrë përtej zonës së sigurisë në jug të vendit, në një kohë kur qeveritë e Libanit dhe Izraelit po diskutojnë për një zgjidhje të pranueshme sigurie për të dyja palët.
Në të njëjtën kohë, në Washington po zhvillohen takime mes përfaqësuesve ushtarakë izraelitë dhe libanezë, me ndërmjetësimin e Shteteve të Bashkuara. Qëllimi i bisedimeve është zbatimi i armëpushimit dhe një plan paqeje që përfshin edhe çarmatimin e Hezbollah.
Sipas të dhënave të Kombeve të Bashkuara, më shumë se një milion persona janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre në Liban si pasojë e konfliktit, ndërsa kryeqyteti Bejrut po përballet me fluks të madh të të zhvendosurve. /Telegrafi/


