"Jo çdo gur në tëmth duhet operuar”, kirurgu abdominal Ymer Durmishi tregon kur duhet ndërhyrja
Gurët në tëmth janë një nga problemet më të shpeshta abdominale, por jo çdo rast kërkon menjëherë ndërhyrje kirurgjikale. Kështu ka thënë kirurgu abdominal, Ymer Durmishi, në podcastin “Shëndeti në rend të parë”, i përkrahur nga United Hospital.
Duke folur për shkaqet e formimit të gurëve në tëmth, Durmishi tha se nuk ka një përgjigje të vetme dhe të saktë, por ekzistojnë disa hipoteza që lidhen me metabolizmin, peshën trupore, infeksionet dhe faktorët gjenetikë.
“Nuk dihet saktësisht. Ka disa hipoteza. Një prej hipotezave është ndryshimi i peshës trupore, fitimi, humbja e peshës, çrregullimi i metabolizmit të mëlçisë”, tha ai.
Sipas tij, edhe infeksionet e rrugëve biliare mund të jenë një nga faktorët që ndikojnë në formimin e gurëve.
“Infeksioni i rrugëve biliare në mënyrë retrograde, ku bakteret kalojnë nga trakti digjestiv në rrugët biliare, mund të jetë shkaktar”, shpjegoi Durmishi.
Kirurgu abdominal përmendi edhe aspektin gjenetik, duke theksuar se duhet marrë parasysh në vlerësimin e pacientëve.
“Aspekti gjenetik duhet me u marrë parasysh”, u shpreh ai.
Megjithatë, Dr. Durmishi theksoi se prania e gurëve në tëmth nuk nënkupton automatikisht nevojën për operacion.
“Jo të gjithë gurët në tëmth duhet operuar”, tha ai.
Sipas tij, nëse pacienti nuk është diabetik, nëse guri nuk shkakton dhimbje dhe nëse është zbuluar rastësisht gjatë një kontrolli, atëherë nuk ka domosdoshmëri për ndërhyrje të menjëhershme kirurgjikale.
Për më shumë shikoni të plotë podcastin "Shëndeti në rend të parë":


