Jinpingu e hodhi Iranin nën autobus - Rusia duhet të shqetësohet
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, dhe presidenti i Kinës, Xi Jinping, shënojnë 80-vjetorin e fitores ndaj Japonisë dhe përfundimin e Luftës së Dytë Botërore (3 shtator 2025, Sheshi Tiananmen, Pekin, Kinë)
Foto: Alexander Kazakov/POOL/AFP nëpërmjet Getty Images
Nga: Joseph Epstein / Newsweek
Përkthimi: Telegrafi.com
Rezultati kryesor i samitit të presidentit Donald Trump në Pekin, me presidentin kinez Xi Jinping, kishte pak të bënte me gjysmëpërçuesit ose mineralet e rralla. Sipas përmbledhjes së Shtëpisë së Bardhë, Xi Jinpingu e bëri të qartë kundërshtimin e Kinës ndaj çdo përpjekjeje iraniane për ta militarizuar Ngushticën e Hormuzit ose për të vendosur tarifë për përdorimin e saj. Deklarata e vetë Pekinit nuk tha asgjë për Iranin ose për ngushticën - dhe, në mënyrë të nënkuptuar nuk e kundërshtoi vlerësimin amerikan. Ky pranim i heshtur e ekspozoi të ashtuquajturin “bosht” të Kinës, Rusisë dhe Iranit për atë që është në të vërtetë: një partneritet leverdie që çahet në momentin kur pengohen interesat e njërit partner.
Pyetja e natyrshme është se çfarë vjen më pas? Nëse Pekini mund të shkëputet nga Teherani, a është i lirë të shkëputet gjithashtu nga Moska? Përgjigjja kërkon të kuptohet diçka që politikanët perëndimorë kanë qenë të ngadaltë ta përvetësojnë: Rusia tashmë i frikësohet Kinës shumë më tepër sesa e tregon.
Që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore - me një pauzë të shkurtër shpresëdhënëse pas shembjes së Bashkimit Sovjetik - Moska e ka paraqitur Perëndimin si kundërshtarin e saj kryesor. Zgjerimi i NATO-s, anëtarësimi në Bashkimin Evropian, revolucionet me ngjyra dhe “vlerat perëndimore” kanë dominuar diskursin e Kremlinit. Por, ky fiksim shmang kërcënimin e vërtetë afatgjatë ndaj fuqisë ruse që është, dhe ka qenë gjithmonë, në Jug.
Ky kërcënim është përshpejtuar ndjeshëm që nga pushtimi i Ukrainës. Ndërsa Moska derdhte njerëz dhe kapital për ta mbajtur Kievin në orbitën e saj, Pekini përthithi në heshtje dhe në orbitën e vet pjesën tjetër të hapësirës post-sovjetike. Në vitin 2023, Kina e tejkaloi Rusinë si partnerja më e madhe tregtare e Azisë Qendrore. Deri në vitin 2025, tregtia Kinë-Azi Qendrore kishte arritur një rekord prej 106 miliardë dollarësh - më shumë se dyfishi i qarkullimit rajonal të Moskës. Kapitali kinez tani financon fabrika makinash në Uzbekistan, qendra logjistike në Kazakistan dhe infrastrukturë në Taxhikistan mbi borxhin e së cilës Pekini shpesh ndodh të ketë kontroll.
Kaukazi Jugor tregon të njëjtën histori. Në vitet e fundit, Kina ka nënshkruar partneritete strategjike me Armeninë, Gjeorgjinë dhe Azerbajxhanin, ndërsa kompanitë kineze të hekurudhave dhe infrastrukturës janë përfshirë gjithnjë e më shumë në logjistikën e Korridorit të Mesëm. Pekini i ka dhënë përparësi Korridorit të Mesëm i cili shtrihet nga Kina perëndimore përmes Azisë Qendrore, përgjatë Detin Kaspik, ndërsa përmes Kaukazit Jugor hyn në Turqi dhe Evropë. Vëllimi i ngarkesave përgjatë kësaj rruge u rrit me rreth 70 për qind vetëm në vitin 2024. Çdo kilometër i saj anashkalon Rusinë dhe Iranin.
Kjo është pjesa që duhet ta përqendrojë vëmendjen në Uashington. Korridori i Mesëm është një nga ato gjeografi të rralla ku logjika ekonomike kineze dhe logjika strategjike amerikane kanë në të njëjtin drejtim - të dyja vendet duan një rrugë tregtare drejt Evropës që anashkalon Rusinë dhe Iranin. Korridori TRIPP i administratës Trump dhe investimet trans-kaspike të Pekinit ndodhen në të njëjtën hartë.
Brenda vetë Rusisë, varësia tani është strukturore. Mallrat kineze përbëjnë rreth 40 përqind të importeve ruse, nga afërsisht 20 përqind para luftës. Kina furnizon mes 60 dhe 90 përqind të mallrave në sektorët kyç që mbajnë në funksion ekonominë e sanksionuar ruse të luftës, si makineritë, automjetet, telekomunikacionin dhe teknologjinë me përdorim të dyfishtë. Pekini është bërë kreditori më i madh dhe klienti më i madh energjetik i Moskës - marrëdhënie që ka detyruar vazhdimisht Rusinë të pranojë zbritje të mëdha për naftën dhe gazin e saj. Kina është partneri tregtar numër një i Rusisë. Rusia përbën pak më shumë se tre për qind të tregtisë së Kinës. Asimetria nuk është delikate.
Moska e kupton rrezikun. Thjesht refuzon ta thotë haptazi. Dokumente të rrjedhura ushtarake ruse, të analizuara nga Financial Times në vitin 2024 - skenarë lojërash lufte nga vitet 2008 deri në 2014, që ende konsiderohen nga analistët perëndimorë si pasqyrim i doktrinës aktuale – bëjnë me dije shtabin e përgjithshëm duke ushtruar një goditje taktike bërthamore kundër Kinës në rast të një pushtimi nga Jugu. Një skenar imagjinon Pekinin duke paguar protestues për t’u përleshur me policinë në Lindjen e Largët Ruse, duke vendosur sabotatorë kundër infrastrukturës ruse dhe më pas duke grumbulluar Ushtrinë Çlirimtare Popullore në kufi nën pretekstin e “gjenocidit”. Planifikuesit rusë kanë simuluar goditje bërthamore ndaj qyteteve kineze. Ata thjesht preferojnë që Perëndimi të mos e dijë se mendojnë në këtë mënyrë.
Ky nuk është një model i ri. Amerikanët sot kanë harruar kryesisht se “frika e kuqe” e viteve ‘50 të shekullit XX supozonte një bllok të palëkundur sino-sovjetik, të kodifikuar në traktatin e miqësisë të vitit 1950 mes Stalinit dhe Maos. Brenda një dekade, partneriteti ishte kalbur - në akuza ideologjike, përplasje kufitare mbi Sinxhangun dhe përbuzjen e hapur të Maos ndaj “dobësisë” së Khrushchevit. Deri në vitin 1972, Nixoni dhe Kissingeri kishin depërtuar përmes hapjes dhe kishin riformësuar Luftën e Ftohtë. Dy gjigantët komunistë zbuluan, siç bëjnë gjithmonë fuqitë e mëdha, se afërsia krijon rivalitet.
Rolet sot janë përmbysur. Rusia tani është partneri i vogël, luftarak dhe në rënie; Kina është e kujdesshme dhe në ngritje që preferon stabilitetin dhe rrjedhat tregtare mbi aventurizmin. Kjo është pikërisht arsyeja pse vija e Hormuzit përfundoi aty ku përfundoi. Armiqësia rajonale e Iranit e kishte zhytur tashmë atë në varësi thuajse të plotë nga Pekini - Kina, deri në Operacionin Furia Epike, ishte destinacioni për rreth 90 përqind të eksporteve të naftës iraniane. Kur minimi dhe vendosja e tarifave nga Teherani në ngushticë filluan të dëmtonin sigurinë energjetike të Kinës, llogaritja e Xisë ishte e drejtpërdrejtë: një partner i vogël nuk ia vlen sa një rrugë cisternash. Sipas Trumpit, Xi shkoi edhe më tej duke premtuar se Pekini nuk do ta furnizonte Iranin me pajisje ushtarake - një “deklaratë e madhe”, sipas fjalëve të presidentit, dhe shkatërrimtare për Teheranin.
Strategjia euroaziatike e Pekinit nuk është ndërtimi i aleancave, por varësia asimetrike - leva për të përdorur partnerët kur është e leverdishme dhe për t’i detyruar kur është e nevojshme. Irani ishte versioni më i pastër i këtij modeli: i dobishëm për aq kohë sa armiqësia e Teheranit ushtronte presion mbi kundërshtarët perëndimorë, i zëvendësueshëm në momentin që ushtronte presion mbi zinxhirët kinezë të furnizimit. Rusia është në të njëjtën rrugë, vetëm se më e madhe dhe më e ngadaltë.
Vlera e Kremlinit për Pekinin ka qenë gjithmonë instrumentale: energji e lirë, një shpërqendrim i dobishëm për Uashingtonin dhe një zonë mbrojtëse në Veri. Në momentin që sjellja ruse fillon të kërcënojë stabilitetin ekonomik të Kinës - përmes rrugëve tregtare të shkatërruara evropiane, rrezikut të sanksioneve dytësore ndaj bankave kineze ose një përplasjeje më të gjerë që përfshin klientët e Pekinit në Gjirin Persik - Kina do të gjejë sërish kalibrin, ashtu siç bëri me Teheranin.
Për Uashingtonin, implikimi nuk është një rivendosje e madhe e marrëdhënieve me Moskën. Rusia mbetet fuqi armiqësore dhe revizioniste, dhe të pretendosh ndryshe do të ishte një gabim strategjik. Por, momenti i Hormuzit është kujtesë se “boshti” mbahet i bashkuar po aq nga presioni perëndimor sa edhe nga përputhja e vërtetë. Shtrëngoni vidat e duhura - mbi teknologjinë e sanksionuar, mbi Korridorin e Mesëm, mbi arkitekturën energjetike të Gjirit - dhe çarjet fillojnë të duken. /Telegrafi/

