“Jam njëri nga ju, është më e veçantë se hera e parë”, fjalët e Mourinhos nga prezantimi i tij te Real Madridi
Jose Mourinho u prezantua si trajneri i ri i Real Madridit sot (e martë) në një ceremoni të pazakontë të mbajtur pas dyerve të mbyllura dhe të arritshme vetëm përmes disa imazheve të transmetuara nga Real Madrid TV, kanali zyrtar i klubit.
"Po kthehem në shtëpi", komentoi trajneri i Real Madridit, i cili u shfaq përkrah presidentit Florentino Perez duke nënshkruar kontratën e tij dhe duke pozuar me një fanellë të personalizuar.
Prezantimi i Mourinhos është i pari për Real Madridin këtë verë, një periudhë në të cilën, përveç trajnerit, gjithsej gjashtë lojtarë i janë bashkuar klubit. Të gjithë do të ndjekin të njëjtin format për prezantimin e tyre zyrtar: pas dyerve të mbyllura, pa praninë e tifozëve apo mediave, në evente ku marrin pjesë vetëm drejtorët e klubit dhe rrethi më i ngushtë i lojtarit.
✍️👕🤩 pic.twitter.com/xa55A97eIY
— Real Madrid C.F. (@realmadrid) August 18, 2026
Pas ceremonisë së prezantimit, Mourinho foli shkurtimisht për mediat zyrtare të klubit mbretëror, duke treguar se ky bashkim me Real Madridin është më i vecantë sesa hera e parë.
"Herën e parë që arrita në Real Madrid, ishte kulmi i suksesit profesional, por tani, përveç kësaj, ekziston edhe aspekti emocional dhe personal, kështu që besoj se kjo fazë është më e veçantë se e para”, ka thënë fillimisht Mourinho.
"Gjëja e rëndësishme është të punosh për Real Madridin dhe dua që të jetë kështu për të gjithë në Valdebebas. Ajo që mund t'u them tifozëve është se jam një nga ju, gjithmonë kam qenë që kur u largova".
“Fjalët nuk mjaftojnë… sepse është si një mision . Nuk ka të bëjë me shqetësimin për veten time apo nëse do të fitoj shumë apo pak. Jam këtu për t’i ndihmuar të gjithë të jenë më të mirë: lojtarët, stafin … Për të krijuar një kulturë pune, përgjegjësie, ambicieje dhe diçkaje që e di mirë, që është përgjegjësia dhe nderi i të punuarit për Real Madridin. Më pëlqen shumë ky koncept”, përfundoi “Special One”. /Telegrafi/


