Ja se si mund ta sigurojë Shkëndija kualifikimin në play-off?
Edhe pse para duelit me Slovan Bratislavën Shkëndija konsiderohej autsajdere, gjithçka u përmbys në fushën e lojës. Kuqezinjtë nga Tetova zhvilluan një paraqitje mbresëlënëse dhe dominuese, duke treguar karakter, disiplinë dhe lojë cilësore, që në fund u shpërblye me një fitore të merituar 2-0 dhe ringritje të madhe në garën për pranverën evropiane, njofton Telegrafi.
Futbollistët e Shkëndijës nuk lejuan një tjetër zhgënjim si ai i dy javëve më parë. Me këtë fitore kuqezinjtë u ngjitën në zonën që siguron pranverën evropiane në UEFA Ligën e Konferencës.
Tetovarët, para xhiros së fundit të fazës së grupeve, renditen në pozitën e 21-të me 7 pikë dhe janë shumë pranë plasmanit në play-off (pozitat 9–24). Për të shmangur çdo lloj dështimi, Shkëndijës i nevojitet patjetër fitore në ndeshjen e fundit në udhëtim ndaj AEK Larnakës, ekip që deri tani nuk ka pësuar humbje. Megjithatë, ekziston mundësia e kualifikimit edhe në rast disfate.
Nëse kampioni i Maqedonisë së Veriut humb në Qipro, për të kaluar në play-off do të duhen disa “kalkulime”: Crystal Palace duhet të mposhtë KuPS-in, Zrinjski të mos fitojë ndaj Rapidit, ndërsa Breidablik të mos triumfojë në fushën e liderit Strasbourg.
Nëse këto skenarë realizohen, Shkëndijën do ta shohim edhe në pranverë në arenën ndërkombëtare. Por nëse “plani” nuk shkon si duhet, kuqezinjtë do të shpresojnë në gabimet e Sigma Olomouc, Universitatea Craiova dhe Lincolnit, që ndodhen në pozitat 22, 23 dhe 24 – gjithashtu me nga 7 pikë.
Xhiroja e fundit e fazës së grupeve të Ligës së Konferencës do të zhvillohet me 18 dhjetor. /Telegrafi/


