Please enter at least 3 characters.

Isufi zbulon detaje nga nata e vrasjes së Kadri Zekës dhe vëllezërve Gërvalla: E di që i vrau UDB-ja

Saime Isufi, veprimtare dhe bashkëshortja e heroit të kombit, Kadri Zeka, ka rrëfyer detaje nga nata kur ai u vra së bashku me veprimtarët Jusuf Gërvalla dhe Bardhosh Gërvalla në Gjermani.

Në një intervistë në “Debat Plus”, në kuadër të ciklit të intervistave dhe emisioneve ekskluzive “Dosjet”, Isufi ka treguar se atë natë po e priste Kadriun të kthehej në shtëpi, pasi të nesërmen duhej të shkonte në punë.

Sipas rrëfimit të saj, Kadri Zeka kishte dalë për t’i telefonuar dhe për ta njoftuar se nuk do të kthehej atë natë. Ai kishte planifikuar të dilte bashkë me Bardhosh Gërvallën, ndërsa më pas atyre iu ishte bashkuar edhe Jusuf Gërvalla.

“Kadriu gjithmonë ka punuar edhe në punë, edhe si veprimtar. Dhe prisja që do të kthehej. Ai kishte dalë që të më merrte në telefon se nuk do të kthehej atë natë”, ka rrëfyer Isufi.

Ajo tha se lajmin për vrasjen e kishte marrë përmes një telefonate nga Ibrahim Kelmendi, rreth orës 22:00. Fillimisht, sipas saj, Kelmendi e kishte pyetur nëse Kadriu ishte kthyer në shtëpi.

Pas telefonatës së dytë, Isufi kishte dyshuar se diçka kishte ndodhur.

“Jo, nuk ka ndodhur asgjë, nuk ka ndodhur asgjë, por nëse ke mundësinë të më japësh numrin e telefonit të tij a diçka”, i kishte thënë Kelmendi, sipas saj.

Isufi më pas kishte kontaktuar Hasan Malën, të cilin e kishte përshkruar si jashtëzakonisht të tronditur nga lajmi. Sipas saj, përmes telefonit ishte konfirmuar se Kadri Zeka kishte mbetur i vrarë, ndërsa në ato momente nuk dihej ende për fatin e dy vëllezërve Gërvalla.

Ajo tha se, pavarësisht tronditjes, e kishte kuptuar se bëhej fjalë për një sulm që lidhej me veprimtarinë e tyre.

“Shiko, i kuptova të gjitha, i mora vesh, nuk kemi çfarë të bëjmë, në luftë jemi, këto janë të pritura, kaq ka qenë”, rrëfeu Isufi.

“Këtë e ka bërë shërbimi sekret jugosllav”

Duke folur për autorësinë e vrasjes, Isufi tha se për të nuk ka dyshim se pas saj qëndronte shërbimi sekret jugosllav, UDB-ja.

“Këtë e ka bërë shërbimi sekret jugosllav, ajo është e ditur, UDB, askush tjetër”, deklaroi ajo.

Megjithatë, kur u pyet nëse mendon se në ekzekutim mund të ketë marrë pjesë ndonjë shqiptar, Isufi u tregua e rezervuar.

“Nuk mund të them përderisa nuk dihet. Nuk dua ta përlyej askënd, nuk e marr përsipër atë”, tha ajo, duke shtuar se nuk dëshiron të akuzojë askënd pa prova.

Sipas Isufit, ajo që ishte e qartë për të ishte se bashkimi i tre veprimtarëve kishte përbërë një kërcënim të madh për kundërshtarët e tyre.

“Unë e di që ata janë vrarë sepse u bashkuan, dhe kjo për armikun ishte tmerr. Bashkimi i tyre”, u shpreh ajo.

Paralajmërimi për Kadri Zekën

Isufi ka rrëfyer edhe për një paralajmërim që, sipas saj, i ishte bërë vëllait të madh të Kadri Zekës nga Selim Brosha, të cilin ajo e përshkroi si person me kompetenca të mëdha në UDB.

Sipas saj, vëllai i Kadriut ishte paralajmëruar që ta bindte atë të tërhiqej nga veprimtaria, përndryshe do të vritej.

“Thirre të tërhiqet nëse vjen këtu, nuk do t’i bëjmë gjë, përndryshe do ta vrasim nëse vazhdon kështu”, ka treguar Isufi.

Ajo tha se Kadri Zeka nuk i kishte dhënë asaj ndonjë sinjal të drejtpërdrejtë për ndonjë rrezik të afërt, pasi, sipas saj, ai ishte jashtëzakonisht i kujdesshëm në veprimtarinë e tij.

Isufi tregoi se Kadriu përpiqej të fshihte vendbanimin e tij të vërtetë. Edhe pse jetonte në Sangal të Zvicrës, njerëzve u thoshte se jetonte në Cyrih, ndërsa komunikimet dhe aktivitetet me bashkatdhetarët i zhvillonte nga atje.

“Kemi vepruar me shumë kujdes”

Duke folur për mënyrën e organizimit të veprimtarisë së tyre, Isufi tha se grupi kishte funksionuar në mënyrë konspirative dhe me strukturë të ndarë.

“Kemi vepruar shumë me kujdes të madh. Ne celulën e kemi pasë treshe. Kemi pasë komitetin ekzekutiv, kemi pasë komitetin drejtues, i kemi pasë detyrat e ndara”, tha ajo.

Sipas saj, anëtarësimi bëhej gradualisht, duke nisur nga simpatizantët, më pas kandidatët për anëtarë dhe, në fund, betimi në celula.

Raportet me Ibrahim Kelmendin

Isufi foli edhe për raportet mes Kadri Zekës dhe Ibrahim Kelmendit.

Ajo tha se, gjatë kohës kur kishte vepruar së bashku me ta, marrëdhëniet mes dy veprimtarëve kishin qenë të mira.

“Kanë pasë raporte të mira. ‘Fronti i Kuq Popullor’, siç është quajtur organizata e Ibrahim Kelmendit, është bashkuar me organizatën tonë sepse edhe Ibrahimi ka pasë besim të madh te Kadriu, kur e ka takuar një kuadër të përgatitur”, deklaroi Isufi.