Istogu “kërcënon” Superligën
Ekipi i kaltër synon t’i bëjë telashe të gjitha skuadrat tjera, ndërsa vetes ia ka vënë objektiv njërën nga pozitat e epërme të tabelës. Ndeshjen e parë kampionale Istogu do ta zhvillojë kundër njërës prej skuadrave më të forta në vend, Trepçës ’89. Por kjo, dhe fakti që do të luajë në Mitrovicë, nuk e frikëson ekipin e Genc Hoxhës. Përkundrazi, pret fillim të mbarë të Kampionatit, duke marrë parasysh të kaluarën e saj me 89-shin, të cilin e kishte mposhtur dy herë në edicionin e kaluar, kurse një përballje e kishte humbur.
“Sivjet Istogu ka synime më të mëdha sesa në stinorin e fundit. Përderisa stinorin e fundit kishte synim të vetëm mbijetesën në Superligë, në këtë stinor synon që të renditet në 5 pozitat e para. Me trajnerin e mirënjohur, Genc Hoxha, dhe me përforcimet që ka bërë Istogu deri më tani, sivjet Istogu do të jetë një arrë e fortë për të gjitha skuadrat e Superligës”, thuhet në një deklaratë të klubit.
Nga Istogu gjatë verës janë larguar Granit Arifaj, Besnik Krasniqi, Suad Saliagiq, Armend Ademaj, Agron Haxhijaj, Jusuf Sabotiq, Erblind Mulaj, Qëndrim Jahaj, Diar Miftaraj dhe Enis Miranaj. Shumica prej tyre nuk i duheshin trajnerit, Genc Hoxha, i cili në skuadrën e tij të re i solli këta lojtarë që i duheshin: Mensur Durakun, Dugagjin Gashin, Ilir Sylën, Landrit Ramën, Drilon Nuzën, Ragip Mazrekajn, Kushtrim Hoxhajn. /Zëri/


