Please enter at least 3 characters.

Ish-yjet e Prishtinës dhe Flamurtarit nderojnë pavarësimin e futbollit (Video)

2016/01/ish-yjet-e-prishtin-euml-s-dhe-flamurtarit-nderojn-euml-pavar-euml-simin-e-futbollit-video_hd.jpg

Saktësisht më 13 shtator 1991 në stadiumin e KF Flamurtari, mes Flamurtarit dhe Prishtinës ishte zhvilluar ndeshja e parë e pavarësimit të futbollit të Kosovës, duke shkëputur përfundimisht nga regjimi serb, e duke hapur një epoka të re për futbollin, lojën më të popullarizuar në botë.

Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) në nderim të kësaj datë historike për futbollin tonë, sot ka organizuar një ndeshje revyale mes Flamurtarit dhe Prishtinës, ku në terren u paraqiten shumica nga ish akterët e ndeshjes se parë të pavarësimit të futbollit tonë.

Ahmet Beselica, Fatmir Namani, Fadil Berisha, Suad Keçi, Sunaj Keçi, Eroll Salihu, Muharrem Sahiti, Adil Vokrri, Afrim Tovërlani, Isa Sadriu, Qazim Berisha, e disa të tjerë pas disa vitesh përsëri veshën fanellën e Prishtinës, derisa tek Flamurtari u paraqiten: Naser Prapashtica, Fazli Hajdari, Naim Beka, Ilir Shuleta, Arsim Plepolli, Përparim Hasani, Agim Hasani, Rexhep Fana, Agim Hoxha, Driton Syla, Habib Krasniqi, e Emin Bajrami.

Ndonëse ndeshja u mbyll me fitoren e Flamurtarit me rezultat 6-2, megjithatë, rezultati ishte në plan të dytë, sepse kjo ndeshje për këta ish futbollistë ishte emocionuese, sepse pas shumë vitesh këta ish futbollistë të mëdhenj u bashkuan për të nderuar 23 vjetorin e pavarësimit të futbollit tonë.

Golat e fitores për Flamurtarin i shënuan: Prashtica (dygolësh), Krasniqi, Syla, Sadriu (autogol) dhe Përparim Hasani, kurse për Prishtinën shënuan: Tortoshi e Sahiti.

Disa nga akterët e asaj ngjarje që i than JO regjimit serb ndjehen krenar me vendimin që kishin marrë.

Ajet Shosholli, një nga akterët kryesor të ndeshjes se parë të pavarësimit të futbollit tonë, i ka thënë KosovaPress-it se data 13 shtator 1991, është një datë e veçantë, dhe sipas tij, ajo datë meriton të quhet historike. Shosholli thotë se ajo datë duhet të hyjë në kalendarin e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) dhe të nderohet çdo vjet.

“Nëse flasim për datën 13 shtator 91, ka qenë një date e veçantë, një datë me të vërtetë që meriton të quhet historike, sepse për herë të parë futbolli i Kosovës u pavarësua prej futbollit ish -jugosllav, ku u formua liga prej 20 ekipeve dhe se të gjithë janë meritor për pavarësimin, duke filluar prej futbollistëve, shoqatës së referëve, shoqatës së trajnerëve, e punëtorëve sportiv. Ia vlen që kjo datë të hyjë në kalendarin e FFK-së dhe të jetë një datë ku do të kremtohet çdo vjet”, ka thënë Shosholli.

I emocionuar që po nderon 13 shtatorin 1991, datën e pavarësimit të futbollit, është shprehur edhe ish futbollisti i shquar, Muharrem Sahiti.

Ish sulmuesi i gjilanas thotë se ndarjen nga pushtuesi e ka përjetuar mjaft mirë. Sahiti thotë se në këtë rrugëtim sportistët e Kosovës rezistuan në forma të ndryshme deri tek pavarësimi i futbollit.

“Emocione të jashtëzakonshme, edhe pse në atë ditë nuk kam qenë, pasi që isha në Turqi. Sidoqoftë kontaktet i kemi pasur të vazhdueshme. E kam ditë se ai moment do të vijë, ndarja nga pushtuesi. E kam përjetuar jashtëzakonisht mirë, e që sot ma rikujton memorien e asaj kohë që vërtetë ka qenë një kohë e jashtëzakonshme, ku edhe futbollistët, e sportistët, treguan rezistencën më format që organizuan duke u pavarësuar nga futbolli i ish Jugosllavisë”, tha Sahiti.

Ai me endje kujton kohërat e vështira të futbollit tonë, por sipas tij, të gjithë sportistët kanë treguar karakter dhe patriotizëm të fortë.

Agim Hasani, është një tjetër ish futbollisti i gjeneratës që i tha JO futbollit ish-jugosllav. Ai thotë se është shumë i lumtur që ka qenë pjesë e asaj gjenerate, e që sipas tij, ajo gjenerate ka bërë një punë të madh, duke e bërë të mundshme pavarësimin e futbollit tonë. Hasani thekson se ajo ditë mbetet e veçantë në karrierën e tij.

“Ishte një ditë e veçantë prej pavarësimit të futbollit ish-jugosllav të cilën më kënaqësi e kemi bërë. Kemi pasur një entuziazëm të fortë dhe kemi qenë më të ri, ku s’kemi ditë frikë, s’kemi ditë kurrë farë rreziku, kështu që më kënaqësi e kemi bërë këtë dhe jam shumë i kënaqur që kam qenë pjesë asaj”, theksoi Hasani.

Krejt në fund akterët që e pavarësuan futbolli tonë, shpresojnë së kjo datë do të nderohet edhe në vitet e ardhshme. /Telegrafi/