Ish-kryeministri izraelit, Barak: Netanyahun duhet ta largojnë me shkopinj dhe gurë
Ish-kryeministri izraelit, Ehud Barak ka bërë thirrje për rrëzimin e kryeministrit, Benjamin Netanyahu “me shkopinj dhe gurë” nëse ai përpiqet të minojë zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme.
Barak, i cili ka qenë në krye të qeverisë izraelite nga viti 1999 deri në 2001, i bëri këto deklarata në një intervistë të sotme për shërbimin publik izraelit KAN.
“Kam frikë se Netanyahu mund të përpiqet të sabotojë zgjedhjet dhe këtë mund ta bëjë shumë lehtë”, tha Barak dhe shtoi se “nëse ai e provon këtë, nuk do të kemi zgjidhje tjetër përveç ta largojmë me shkopinj dhe gurë”.
Barak pretendon se Netanyahu mund të shkaktojë sabotim duke nisur operacione ushtarake në Liban, gjë që do të sillte kundërpërgjigje nga Hezbollahu dhe Irani.
“Netanyahu dëshiron një luftë të pafund sepse e kupton se përfundimi i luftës do ta përshpejtonte gjyqin e tij”, deklaroi Barak, duke shtuar se kryeministri ka penguar tashmë marrëveshjet për shkëmbim pengjesh me Hamasin dhe ka bllokuar përparimin në negociatat që lidhen me Libanin.
Netanyahu është në krye të qeverisë aktuale që nga fundi i dhjetorit 2022, ndërsa koalicioni i tij konsiderohet gjerësisht si më i djathti në historinë e Izraelit.
Përbërja aktuale e Knessetit skadon në tetor 2026, ndërsa zgjedhjet pritet të mbahen në shtator ose tetor. Në Izrael ndaj Netanyahut po zhvillohet një proces gjyqësor për akuza korrupsioni, ndërsa që nga viti 2024 ai kërkohet edhe nga Gjykata Ndërkombëtare Penale (ICC) për akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Barak kritikoi gjithashtu ashpër draft-marrëveshjen midis SHBA-së dhe Iranit. “Me një fjalë – e keqe. Me dy fjalë – shumë e keqe”, tha ai dhe paralajmëroi se Izraeli po paguan çmimin e “arrogancës dhe mungesës së vizionit” të Netanyahut.
Ndërkohë, presidenti amerikan, Donald Trump deklaroi se marrëveshja me Iranin për hapjen e Ngushticës së Hormuzit do të nënshkruhet të dielën, por Teherani e ka kundërshtuar këtë afat, duke thënë se nënshkrimi mund të ndodhë në ditët në vijim.
Po vazhdojnë gjithashtu përpjekjet për t’i dhënë fund luftës që SHBA dhe Izraeli nisën kundër Iranit më 28 shkurt, ndërsa një armëpushim i ndërmjetësuar nga Pakistani është në fuqi që nga 8 prilli. /Telegrafi/


