Ish-burri i Britney Spears në rehabilitimin e saj: Jam i lumtur që ajo po merr ndihmë
Kevin Federline tha se është i lumtur që sheh ish-gruan e tij, Britney Spears, duke marrë ndihmë sipas kushteve të saj, pasi këngëtarja u regjistrua vullnetarisht në një qendër rehabilitimi.
Ish-bashkëshorti i këngëtares, nëpërmjet avokatit të tij Mark Vincent Kaplan, foli të hënën në lidhje me informacionin se Spears ishte regjistruar në një qendër rehabilitimi pasi u arrestua për drejtim mjeti në gjendje të dehur muajin e kaluar.
"Kevin është i lumtur që ajo u regjistrua në qendër rehabilitimi dhe se, nëse ka nevojë për ndihmë, ajo ka mbështetje dhe po e merr atë. Ai është gjithashtu i kënaqur që duket të jetë një vendim që ajo e ka marrë vetë, dhe jo diçka që i është imponuar", tha avokati i Kevin Federline.
Sipas një burimi të Page Six, vendimi i Spears për të kërkuar ndihmë për varësinë e saj ishte thjesht zgjedhje e saj personale, siç e konfirmoi më parë përfaqësuesi i saj.
"Kjo nuk ka të bëjë me një gjë specifike, por ka një qëllim të dyfishtë. Bëhet fjalë për Britneyn që e vë shëndetin e saj mendor në vend të parë dhe i kushton pak kohë vetes për t'u përqendruar në gjërat që janë të rëndësishme për të. Ajo është e përkushtuar të punojë për shëndetin e saj. Kjo është diçka që ajo vërtet dëshiron ta bëjë për veten. Ky ishte vendimi i saj", tha burimi.
Federline, i cili ishte i martuar me Spears nga viti 2004 deri në vitin 2007, ka dy djem me këngëtaren, 20-vjeçarin Sean Preston dhe 19-vjeçarin Jayden James.
Burimi pohon se familja e këngëtares e mbështet vendimin e saj për të shkuar në rehabilitim.
“Të gjithë duan që Britney të jetë e shëndetshme dhe në një gjendje të mirë, dhe fakti që ky ishte vendimi i saj vërteton sa e përkushtuar është ajo ndaj rikuperimit të saj dhe rikthimit në terren të fortë”, tha burimi.
Ju kujtojmë se Spears u mor në paraburgim më 4 mars pasi policia e vuri re duke kaluar në mënyrë të pakontrolluar në korsi të tjera. Gjatë ndalimit, dyshohet se në makinën e saj u gjet një substancë e panjohur dhe besohet se ajo ishte nën ndikimin e një kombinimi alkooli dhe droge.
Pas këtij incidenti, Spears ka kaluar kohë me djemtë e saj dhe muajin e kaluar postoi foto me Sean Preston dhe Jayden James gjatë pushimeve në një jaht.
Ndryshimet e fundit të djalit të saj të madh në mediat sociale kanë tërhequr gjithashtu vëmendje shtesë. Sean shtoi mbiemrin e nënës së tij në profilin e tij në Instagram, ndërsa nuk e ka futur mbiemrin e babait të tij. Ai tani përdor pseudonimin "Sean P Spears", ndërsa më parë njihej si "Sean Preston". /Telegrafi/


