Please enter at least 3 characters.

Ish-avokati personal i Trumpit konfirmohet si Prokuror i Përgjithshëm i SHBA-së

Senati amerikan e konfirmoi të shtunën herët Todd Blanche si Prokuror të Përgjithshëm të SHBA-së me 50 vota pro dhe 49 kundër, pas një procesi të debatueshëm dhe të pasigurt në Uashington.

Blanche, ish-avokat personal i presidentit amerikan, Donald Trump, kishte drejtuar më parë Departamentin e Drejtësisë në cilësinë e ushtruesit të detyrës. Me konfirmimin nga Senati, ai merr mandat të plotë për të vazhduar zbatimin e agjendës së administratës.

Votimi tregoi ndarjet e thella në Senat, pasi kundër Blanche votuan të gjithë senatorët demokratë, si dhe dy senatore republikane – Susan Collins nga Maine dhe Lisa Murkowski nga Alaska.

Kandidatura e tij u përball me kundërshtime edhe brenda Partisë Republikane për shkak të një marrëveshjeje të lidhur me padinë e Trumpit kundër Administratës Tatimore të SHBA-së (IRS), raportojnë mediat.

Nën presionin e senatorëve, Blanche premtoi me shkrim se do të tërhiqej nga fondi i propozuar prej 1.8 miliardë dollarësh për aleatët e Trumpit, përfshirë persona që morën pjesë në sulmin ndaj Kapitolit më 6 janar 2021.

Ai gjithashtu u zotua të kufizonte pjesën e marrëveshjes që do të mbronte Trumpin dhe anëtarët e familjes së tij nga kontrollet tatimore.

“Ky nuk është referendum për presidentin Trump. Ky është një vendim për zotin Blanche në rrethana shumë specifike”, tha senatori republikan, Bill Cassidy, mbështetja e të cilit ishte vendimtare.

Ndërkohë, senatori demokrat Dick Durbin paralajmëroi se konfirmimi i Blanche do të ishte “një gabim serioz”.

“Nëse ka pasur ndonjëherë një moment në histori kur na nevojitet një prokuror i përgjithshëm pa njollë, i cili është qartësisht i përkushtuar për t'i dhënë fund korrupsionit, madje edhe në nivelet më të larta të qeverisë sonë, ai moment është pikërisht tani”, tha Durbin.

Blanche më herët kishte shërbyer si prokuror federal në Nju Jork, ndërsa për publikun e gjerë u bë i njohur si një nga avokatët kryesorë të Trumpit në çështjet e tij penale.

Demokratët e akuzojnë atë se e ka vendosur besnikërinë ndaj Trumpit mbi pavarësinë e Departamentit të Drejtësisë. Përkrahësit e tij, megjithatë, argumentojnë se pikërisht për shkak të përvojës dhe marrëdhënies së tij me presidentin, Blanche mund të jetë më efektiv në vendosjen e kufijve ndaj kërkesave të Shtëpisë së Bardhë. /Telegrafi/