Ryshfet në kufi, serbi dhe polici i Kosovës arrestohen në Vërmicë
Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka arrestuar sot një zyrtar policor nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Marrje ryshfeti”, si dhe një qytetar, shtetas i Republikës së Serbisë, i dyshuar për “Dhënie ryshfeti”.
Sipas IPK-së, bazuar në hetimet fillestare, dyshohet se zyrtari policor, gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare në Stacionin e Policisë Kufitare në Vërmicë, ka pranuar përfitim financiar për t’i mundësuar hyrjen në territorin e Republikës së Kosovës një qytetari të Serbisë, ndonëse këtij të fundit i ishte ndaluar paraprakisht hyrja në Kosovë.
Pas pranimit të informacioneve të para për rastin, hetuesit e IPK-së kanë nisur menjëherë hetimet me autorizim dhe në koordinim të ngushtë me Prokurorinë Themelore në Prizren.
Si rezultat i veprimeve hetimore dhe operative në terren, zyrtari policor është arrestuar dhe, me vendim të prokurorit kompetent, ndaj tij është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.
Në lidhje me të njëjtin rast, është arrestuar edhe qytetari – shtetas i Republikës së Serbisë – ndaj të cilit është iniciuar procedurë penale për veprën “Dhënia e ryshfetit”, ndërsa edhe atij i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë./Telegrafi/


