Investimet e diasporës në patundshmëri, në fokus të panelit të Expo Real Kosova 2026
Investimet e diasporës në sektorin e ndërtimit dhe patundshmërive, sfidat me të cilat përballen investitorët dhe mundësitë për krijimin e një klime më të favorshme për kapitalin shqiptar nga mbarë bota ishin në qendër të panelit të diskutimit të organizuar në kuadër të Expo Real Kosova 2026.
Paneli mblodhi përfaqësues të arkitekturës, sektorit bankar, biznesit dhe komunikimit për të diskutuar se si bashkëpunimi ndërmjet institucioneve, profesionistëve dhe diasporës mund të shndërrohet në një motor të ri të zhvillimit ekonomik të vendit.
Diskutimi u moderua nga Sherife Kçiku Vishaj, CEO e PR Solutions, e cila theksoi rëndësinë e krijimit të një dialogu ndërmjet të gjithë akterëve që ndikojnë në zhvillimin e tregut të patundshmërive, duke e cilësuar diasporën si një partner strategjik për të ardhmen e Kosovës.
Kryetarja e Odës së Arkitektëve të Republikës së Kosovës, Mimoza Haxhija Jedrashi, vlerësoi se investimet e diasporës kanë qenë ndër shtyllat kryesore të zhvillimit të sektorit të ndërtimit, duke ndikuar jo vetëm në rritjen ekonomike, por edhe në transformimin e zonave urbane e rurale. Ajo theksoi se projektet duhet të orientohen drejt cilësisë dhe qëndrueshmërisë, ndërsa investitorët nga diaspora duhet të angazhojnë profesionistë vendorë, pasi njohja e legjislacionit dhe planifikimit urban në Kosovë është thelbësore për realizimin e suksesshëm të projekteve. Sipas saj, "arkitekti nuk është vetëm hartues teknik i projektit, por partner strategjik i investitorit", ndërsa kombinimi i përvojës ndërkombëtare të diasporës me ekspertizën vendore krijon investime afatgjata dhe të qëndrueshme.
Nga perspektiva e sektorit bankar, Muhamet Hajdari, Udhëheqës për Përvojën e Klientit në NLB Bank, nënvizoi se diaspora vazhdon të tregojë seriozitet dhe besim në investimet e saj në Kosovë. Ai bëri të ditur se banka ka zhvilluar produkte dhe shërbime të dedikuara për mërgatën, me qëllim që procesi i financimit dhe investimit të jetë sa më i thjeshtë dhe i qasshëm. "Diaspora ka treguar seriozitet në investimet e saj dhe ne vazhdimisht krijojmë lehtësira që t'u përshtatemi nevojave të tyre, duke i trajtuar njësoj si qytetarët që jetojnë në Kosovë", tha Hajdari, duke shtuar se digjitalizimi i shërbimeve bankare dhe pakot e veçanta për diasporën janë ndër prioritetet e institucionit.
Ndërkaq, Omer Nura, Kryetar i Rrjetit Global të Bizneseve Shqiptare, tha se motivi kryesor që e shtyn diasporën të investojë në Kosovë vazhdon të jetë lidhja emocionale me vendlindjen, por shtoi se ky potencial mund të shfrytëzohet shumë më tepër nëse përmirësohet klima e të bërit biznes. Ai theksoi se burokracia, procedurat administrative, digjitalizimi i pamjaftueshëm, siguria juridike dhe stabiliteti institucional mbeten shqetësimet kryesore të investitorëve. "Lidhja emocionale është arsyeja pse diaspora vazhdon të investojë në Kosovë, por duhet më pak burokraci, më shumë transparencë dhe një mbështetje institucionale nga fillimi deri në përfundim të investimit", u shpreh Nura, duke propozuar edhe krijimin e fondeve të përbashkëta investuese mes shtetit, bankave dhe diasporës për projekte strategjike.
Gjatë panelit u theksua se investimet e diasporës nuk duhet të shihen vetëm si blerje banesash apo patundshmërish, por si një mundësi për zhvillim afatgjatë ekonomik, urban dhe social. Pjesëmarrësit vlerësuan se përveç kapitalit financiar, diaspora sjell edhe përvojë profesionale, rrjete ndërkombëtare dhe standarde të reja të zhvillimit, ndërsa bashkëpunimi më i ngushtë ndërmjet institucioneve, sektorit privat dhe profesionistëve vendorë do të krijonte një klimë më të favorshme për investime të reja.
Ky panel u zhvillua në kuadër të Expo Real Kosova 2026, platformës që synon të promovojë Kosovën si destinacion për investime në sektorin e ndërtimit, patundshmërive dhe zhvillimit urban.
Përmes paneleve tematike, prezantimeve dhe takimeve të biznesit, Expo Real Kosova synon të afrojë investitorët, institucionet financiare, profesionistët dhe diasporën, duke krijuar ura të reja bashkëpunimi dhe mundësi konkrete për zhvillimin ekonomik të vendit.


