Interi u përpoq t'ia vidhte Jasharin nga dora Milanit - kështu ndodhi e gjithë situata
Një skenë interesante është zhvilluar sot në Milano, ku përfaqësues të Club Brugge janë takuar me drejtuesit e Interit, në një takim që fillimisht u raportua si interes për mesfushorin e të rinjve Aleksandar Stankovic.
Por sipas raportimeve nga Belgjika, qëllimi i vërtetë i Interit ishte përpjekja për të rrëmbyer Ardon Jasharin, një nga objektivat kryesorë të rivalëve të tyre të qytetit, Milanit.
Sipas gazetarit belg Sacha Tavolieri, Interi ofroi Stankovic plus 30 milionë euro për të bindur Brugge të shesë Jasharin, por oferta u refuzua.
Dy arsyet kryesore për këtë ishin, Club Brugge nuk dëshiron ta shesë Jasharin këtë verë, duke e konsideruar si pjesë kyçe të projektit të tyre dhe e dyta, vetë lojtari është tifoz i Milanit që në fëmijëri dhe dëshiron vetëm një transferim te “Rossonerët”, çka vështirëson çdo përpjekje nga klube të tjera.
Takimi i zhvilluar në selinë e Interit nuk solli ndonjë deklaratë publike nga përfaqësuesit e Club Brugge, por lëvizjet e fundit tregojnë qartë se Interi është aktiv dhe agresiv, sidomos në përpjekje për të penguar rivalët e tyre në garën për talentet më premtues.
Për momentin, Jashari mbetet më afër Milanit, ndërsa mbetet për t’u parë nëse Interi do të vazhdojë të insistojë – apo do të drejtojë vëmendjen tjetërkund. /Telegrafi/


