Please enter at least 3 characters.

Interi merr edhe fitoren e dytë - golin e vetëm e shënoi Calhanoglu

Interi ka vazhduar me fitore sezonin e ri në Serie A, pasi të dielën mbrëma triumfoi si mysafir ndaj Cagliarit me rezultat 1-0.

Goli i vetëm i ndeshjes u shënua në minutën e nëntë. Hakan Calhanoglu realizoi me një goditje të bukur nga jashtë zonës, pas asistimit të Nicolo Barellas, duke i dhënë Interit epërsinë e hershme.

Cagliari tentoi të reagojë, por Interi pati mundësi të tjera për ta dyfishuar epërsinë. Në minutën e 25-të, Manuel Akanji rrezikoi me kokë pas një goditjeje të lirë, por tentimi i tij shkoi pranë shtyllës.

Vetëm tri minuta më vonë, Federico Dimarco goditi nga brenda zonës, por portieri Elia Caprile bëri një pritje fantastike për ta mbajtur Cagliarin në lojë.


Interi vazhdoi të krijojë raste. Francesco Pio Esposito ishte pranë golit në minutën e 33-të, por goditja e tij u bllokua në mënyrë të shkëlqyer nga mbrojtja vendase.

Në pjesën e dytë, të dyja skuadrat patën mundësi. Esposito rrezikoi sërish në minutën e 54-të, por Caprile bëri një tjetër pritje të bukur.

Cagliari u përpoq të gjente golin e barazimit dhe në minutën e 61-të Alieu Fadera detyroi Josep Martinezin të intervenonte pas një goditjeje nga jashtë zonës.

Në minutat e fundit, Interi ishte pranë golit të dytë. Lautaro Martinez në minutën e 87-të goditi fort drejt shtyllës së majtë, por Caprile reagoi me shpejtësi dhe e ndali tentimin e argjentinasit.


Pavarësisht rasteve të krijuara, rezultati nuk ndryshoi dhe Interi mori tri pikët e radhës. /Telegrafi/

Standings provided by Sofascore