Instagram forcon masat ndaj profileve të rreme me persona të krijuar nga AI
Instagram po shtrëngon kontrollet ndaj profileve që përdorin persona të krijuar me inteligjencë artificiale dhe paraqiten si njerëz realë, në një përpjekje për të rritur transparencën në platformë.
Rrjeti social ka njoftuar se do ta ndryshojë etiketën “AI creator” në “AI-generated profile”, duke e bërë më të qartë për përdoruesit se pas një profili mund të mos qëndrojë një person real, transmeton Telegrafi.
Instagram tha se ka marrë ankesa nga përdorues që janë ndier të mashtruar pasi kanë ndjekur profile që dukeshin njerëzore, vetëm për të zbuluar më vonë se personazhi ishte krijuar nga AI.
Sipas kompanisë, Instagram do të identifikojë profilet që përdorin persona të gjeneruar nga inteligjenca artificiale, por nuk e deklarojnë këtë vetë. Profilet e tilla mund të përballen me kufizime në shpërndarje.
Konkretisht, postimet e tyre mund të mos rekomandohen më për përdoruesit që nuk i ndjekin, përmes seksioneve Reels dhe Explore. Në rast se një profil shënohet gabimisht, pronari do të ketë mundësi të apelojë vendimin.
Megjithatë, ekziston një dallim i rëndësishëm: përdorimi i mjeteve të AI për të krijuar përmbajtje nuk do të kërkojë domosdoshmërisht etiketim. Masa e re synon kryesisht profilet ku vetë personi paraqitet si një individ real, edhe pse është tërësisht i gjeneruar nga AI.
Ky ndryshim vjen në një kohë kur “AI influencers” po bëhen gjithnjë e më të vështirë për t’u dalluar nga njerëzit realë, duke ngritur shqetësime për mashtrime, transparencën dhe mënyrën se si përdoruesit ndërveprojnë me përmbajtjen në rrjetet sociale.
Instagram thotë se qëllimi është që përdoruesit të mund të kuptojnë më lehtë kur një profil që duket si një person real është në fakt krijim i inteligjencës artificiale. /Telegrafi/


