Please enter at least 3 characters.

Inspektorati i Punës: Vinçi që u rrëzua në Prishtinë po montohej, ishte ende i painspektuar

Inspektorati Qendror i Punës ka dhënë detaje lidhur me aksidentin e rëndë që ndodhi të martën në një vendpunishte në Lagjen e Spitalit në Prishtinë, ku humbi jetën një 26-vjeçar, ndërsa një 18-vjeçar mbeti i lënduar.

Sipas njoftimit të Inspektoratit, vinçi që u rrëzua ishte në proces montimi në momentin kur ndodhi aksidenti.

“Vinçi ishte duke u montuar në momentin e aksidentit”, thuhet në reagim.

Inspektorati ka bërë të ditur se vinçi i përket kompanisë “Vëllezërit Asllani” dhe se ai nuk kishte qenë i inspektuar më parë, pasi punimet në atë lokacion ndodheshin ende në fazën fillestare të ndërtimit.

Lidhur me shkaqet e aksidentit, ky institucion ka theksuar se është ende herët për të nxjerrë përfundime, pasi rasti kërkon hetime dhe ekspertiza të detajuara.

“Sa i përket shkakut të aksidentit, në këtë fazë është ende herët të nxirret një konstatim inspektues, pasi natyra dhe rrethanat e rastit kërkojnë hetime dhe ekspertiza të mëtejshme për të përcaktuar shkakun e saktë të aksidentit, si dhe përgjegjësinë lidhur me zbatimin e masave të sigurisë dhe shëndetit në punë”, thuhet në njoftim.

Inspektorati Qendror i Punës ka bërë të ditur se inspektorët kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe janë duke zhvilluar veprimet inspektuese në koordinim me Policinë e Kosovës, Prokurorinë e Shtetit dhe institucionet e tjera kompetente.

Aksidenti ndodhi gjatë ditës së martë në një punishte ndërtimi në zonën e Lagjes së Spitalit në Prishtinë. Si pasojë e rrëzimit të vinçit, një 26-vjeçar humbi jetën pasi nuk arriti t’u mbijetojë plagëve të marra, ndërsa një 18-vjeçar mbeti i lënduar dhe po trajtohet në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të aksidentit dhe për të përcaktuar nëse janë respektuar standardet ligjore të sigurisë dhe shëndetit në punë.