Please enter at least 3 characters.

​Inspektimet në ndërtimtari, për dy ditë në 27 raste u ndaluan punimet

Deri më tani në kuadër të aksionit të inspektimeve të vendpunishteve nga Inspektorati Qendror i Punës, janë inspektuar gjithsej 248 vendpunishteve.

Vetëm në 48 orët e fundit, në 27 raste u ndaluan punimet. Teksa sipas raportit të Inspektoratit, në 32 të tjera u shqiptuan vërejtje.

Sipas përditësimeve nga Inspektorati, brenda 48 orëve të fundit janë bërë 66 inspektime në Prizren, Pejë, Prishtinë, Podujevë, Obiliq, Drenas, Lipjan, Fushë Kosovë dhe Ferizaj.

Më shumë inspektime pati në Prishtinë dhe Pejë, me nga 16 vendpunishte. Në Prizren dhe Podujevë nga 4 inspektime, në Obiliq dhe Fushë Kosovë nga 2 inspektime, në Lipjan 6, në Drenas 3 dhe në Ferizaj 13.

Inspektorati njofton se në këtë 48 orësh, fokusi i Inspektimit ka qenë sektori i ndërtimtarisë andaj edhe realizimi i inspektimeve është bërë në 100% në këtë sektor.

“Në përfundim të Aksionit të gjitha subjektet që kanë rezultuar me ndalim të punimeve me automatizëm procesohen në Gjykatat për kundërvajtje përkitazi me shkeljet e konstatuara. *Procesi i Riinspektimeve do të kryhet në ditët në vijim të aksionit sipas afateve kohore të përcaktuara nga Inspektorët për eliminim të parregullësive”, thuhet në njoftim.

Ky aksion ka nisur më 16 prill nga Ministria e Punës, Familjes dhe Vlerave të Luftës Çlirimtare në bashkëpunim me Inspektoratin Qendror të Punës.

Gjatë kohës së fundit, në Kosovë kanë ndodhur disa vdekje në vendin e punës, kryesisht në sektorin e ndërtimtarisë.