Inflacioni në Kosovë arrin 5,3% në dhjetor 2025, energjia elektrike dhe ushqimet me rritje të theksuar të çmimeve
Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit (IHÇK) për muajin dhjetor 2025, sipas të cilit inflacioni vjetor ka arritur në 5,3 për qind, ndërsa ai mujor në 0,7 për qind.
Sipas ASK-së, indeksi i përgjithshëm i çmimeve të konsumit në dhjetor 2025 ishte më i lartë për 5,3 për qind krahasuar me dhjetorin e vitit 2024. Ndërkohë, krahasuar me muajin nëntor 2025, çmimet janë rritur mesatarisht për 0,7 për qind.
Norma mesatare vjetore e inflacionit për vitin 2025 ka qenë 3,9 për qind, duke shënuar rritje të indeksit të çmimeve të konsumit krahasuar me vitin 2024.
Rritja e çmimeve gjatë vitit 2025 është vërejtur kryesisht te disa grupe dhe nëngrupe të COICOP-it, përfshirë kafenë, çajin dhe kakaon (15,2%), shërbimet në lidhje me pajisjet personale të transportit (11,6%), pemët (11,5%), energjinë elektrike (11,4%), mishin (11,0%), si dhe pushimet e organizuara (10,3%). Po ashtu, rritje të ndjeshme kanë shënuar edhe vajrat dhe yndyrat, produktet e qumështit, shërbimet hoteliere dhe ato ambulantore.
Në krahasimin dhjetor 2025 me dhjetorin 2024, rritja më e madhe e çmimeve është shënuar te pemët (19,0%), energjia elektrike (18,3%), shërbimet e lidhura me transportin personal (18,1%), mirëmbajtja e mjeteve të transportit (14,7%) dhe mishi (14,4%).
Ndërkohë, në nivel mujor, nga nëntori në dhjetor 2025, rritja e çmimeve është nxitur kryesisht nga energjia elektrike (8,7%), biletat e fluturimeve (8,4%), lëndët djegëse të ngurta si druri dhe peleti (3,0%), perimet (2,9%) dhe biletat e transportit rrugor (2,2%).
ASK bën të ditur se rënie e çmimeve është vërejtur te karburantet dhe lubrifikantët për pajisjet e transportit personal, si në nivel vjetor ashtu edhe mujor, duke pasur ndikim negativ në IHÇK./Telegrafi/


