Please enter at least 3 characters.

Ideologjia e re nacionaliste, që i mbyll dyert Evropës

2016/01/ideologjia-e-re-nacionaliste-q-euml-i-mbyll-dyert-evrop-euml-s_hd.jpg

Miqtë e mi jorusë më pyesin gjithnjë e më shpesh, përse nuk emigroj. Shenjë shumë e keqe. Unë u përgjigjem që jetojnë Rusinë time, në vendin e Kandinskit, Pasternakut, Shostakoviçit dhe Sakharovit. Por, ata tundin kokën. Sakharovi? E kush e kujton më Sakharovin! Emri që më kujtojnë është një tjetër: Stalini.

Kohët e fundit, Putini ka vendosur të shfaq një mëri ndaj kritikuesve të tij perëndimorë, që për një arsye të çuditshme e kanë kapur me të, në lidhje me çështjen tashmë të famshme të gadishullit të Krimesë dhe për luftën në kufirin lindor të Ukrainës. Dhe ka propozuar një referendum: përse të mos i kthejmë Vollgogradit emrin e tij të vërtetë? Përse të mos e quajmë sërish Stalingrad?

Nuk ka asnjë dyshim që nëse Putini e dëshiron Stalingradin, atëherë Stalingradi do të rikthehet në hartat gjeografike. Gjysma e vendit do të gëzohet: për ta Stalini është heroi që detyroi një botë të tërë t’i trembet Rusisë. Gjysma tjetër - klasa e mesme në përgjithësi, inteligjencia, kush ka një farë arsimimi - do të trembet për vdekje.

Ata që do të ngazëllehen më shumë se kushdo, do të jenë radhët e gjata të silovikëve që rrethojnë Putinin - njerëzit e aparatit shtetëror të sigurisë dhe të forcave të rendit që ndodhen në postet kyçë të qeverisë. Familja e fajkonjve të rinj, për të cilët vlerat liberale evropiane janë një virus nga i cili Rusia duhet të mbrohet.

Është një luftë e ftohtë e re kjo, mes vlerave antagoniste që, megjithatë në kufirin lindor të Ukrainës, është tashmë një luftë e vërtetë, me viktima. Ku është dallimi me të kaluarën? E mbani mend James Joycen? “Më thonë të shkoj të vdes për Irlandën, dhe unë u përgjigjem: Le të vdesë Irlanda për mua”. Në kohën e tij, kjo frazë tronditi një pjesë të mirë të Evropës, ndërsa sot shumica e evropianëve do ta përvetësonin: nuk është individi që theret për shtetin, por shteti për individin.

Në Rusi është e kundërta. Pushteti i jep gjithmonë rëndësi shtetit dhe kështu popullsia vetëm nënshtrohet. Ky është objektivi i ideologjisë së re nacionaliste të Putinit, që dëshiron që Rusia t’i kthejë krahët Evropës e të shohë nga lindja, që dëshiron të shkojë në krahët mikpritëse të Kinës. Duma - siç thonë me shaka liberalët që tashmë kanë heshtur - është si një printer i marrosur, që nxjerr njërin ligj ultrapatriotik pas tjetrit.

Nëse fajkonjtë festojnë, liberalët kanë heshtur. Entuziazmin për Krimenë e aneksuar ushtarakisht e ndan jo më pak se 90 për qind e popullsisë, pra edhe shumë prej atyre që dy vjet më parë kishin zbritur të protestonin në sheshin Bolotnaja.

Pra, jemi në një stagnim të ri, një amulli ideologjike e ngjashme me atë të viteve të fundit të BRSS-së. Dhe tentativa e Gorbaçovit dhe Jelsinit (Jelsini i viteve të parë) për të ndjekur shembullin e Pjetrit të Madh dhe për të bërë që Rusia të kthente sytë nga Europa, mbyllet me Vollgogradin që do të quhet Stalingrad.

Në situatën aktuale, sanksionet që Perëndimi i imponon Rusisë bëjnë lojën e regjimit të Putinit, që i përdor me zhdërvjelltësi për të shpjeguar vështirësitë ekonomike të vendit: është Perëndimit - i pabesë dhe i lig - përgjegjësi i vërtetë.

Ashtu si çdo herë, stanjacioni i ri do të zgjasë deri sa do të zgjasë pushteti individual. Megjithatë, fajkonjtë shumëfishohen me shpejtësi, edhe tek brezat e rinj. Dhe pëllumbat ose largohen, ose hedhin tutje penat. As nuk shohin ndryshim në horizont.

Është ky, stagnimi à la russe.