Please enter at least 3 characters.

Ideja se spiunët e MI6 renditen në vendin e parë është "një marrëzi", thotë njëri prej tyre

Selia e MI6 në Londër

Foto: Spotmatik

Burimi: The Telegraph
Përkthimi: Telegrafi.com

Francezët, të cilët nuk kanë qenë kurrë të njohur për lavdërimin e tepruar të Britanisë, kohët e fundit kanë konfirmuar atë që shumë prej nesh në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë e dimë prej vitesh: Britania mbetet fuqia kryesore e Evropës në fushën e inteligjencës dhe spiunazhit.

Dhe, me inteligjencën amerikane që paralajmëron se Rusia mund ta sprovojë vendosmërinë e NATO-s brenda disa javësh ose muajsh, kjo nuk është thjesht lajkë. Mund të rezultojë mjaft e rëndësishme.

Sipas raportimeve, inteligjenca amerikane beson se Vladimir Putini mund të tentojë një inkursion të kufizuar tokësor ose të ndërmarrë sulme kibernetike kundër Evropës Lindore - nga kjo vjeshtë deri në vitin 2029. Kjo përfaqëson një ndryshim të rëndësishëm nga vlerësimi i mëparshëm se Putini nuk ka gjasa sulmojë NATO-n për sa kohë që ende është i bllokuar në Ukrainë.

Me gjithë dekadat e shkurtimeve, kursimeve të tepruara dhe neglizhencës politike, Britania vazhdon të ketë një ndikim jashtëzakonisht më të madh nga sa do të sugjeronte pesha e saj. Në të vërtetë, përparësia jonë më e madhe strategjike mund të mos ndodhet në bordin e një aeroplanmbajtëseje ose brenda një tanku Challenger, por prapa dyerve anonime të [shtabit të inteligjencës së jashtme] “Vauxhall Cross”, [shtabit të sigurisë së brendshme, MI5] “Thames House” dhe [ahtabi Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë Kibernetike të Mbretërisë së Bashkuar]"Doughnut"-it të GCHQ-së në Çeltnam.

Revista franceze L'Express kaloi tre muaj duke marrë mendimet e 60 profesionistëve të inteligjencës nga 25 vende për të vlerësuar efektivitetin dhe besueshmërinë e agjencive të inteligjencës në botë.

Tabela e renditjes së spiunazhit në Evropë
Mbretëria e Bashkuar, MI6: 251 pikë
Franca, DGSE: 169 pikë
Holanda, AIVD/MIVD: 97 pikë
Ukraina: 77 pikë
Gjermania, BND: 62 pikë
Suedia: 40 pikë
Norvegjia: 34 pikë
Estonia: 27 pikë
Polonia: 22 pikë
Danimarka: 16 pikë

Rezultati ishte i qartë dhe i prerë. Shërbimi Sekret i Inteligjencës i Britanisë (SIS) doli i pari në Evropë, përpara Francës, Holandës dhe çdo shërbimi tjetër evropian. Kjo nuk duhet të befasojë askënd që e njeh këtë fushë. Britania ka praktikuar atë që sot mund të quhet "spiunazh gjithëpërfshirës" që nga koha elizabetiane.

Një ish-shef i DGSE-së franceze i tha L’Express-it se britanikët "luajnë lojën afatgjatë", duke kultivuar agjentë për dekada, shumë ngjashëm me rusët, ndërkohë që kanë një prirje të veçantë për ata që ai, në mënyrë diplomatike, i përshkroi si "hile të pista".

Sigurisht, agjencitë e inteligjencës nuk mund të renditen në mënyrë të arsyeshme si klubet e futbollit në ligën Premier. Një oficer perëndimor i inteligjencës që unë njoh e hodhi poshtë vlerësimin francez si "një marrëzi". Ai fare mirë mund të ketë të drejtë.

Megjithatë, kemi një histori të fortë kombëtare në këtë fushë. Nga Parku Bleçli përmes Luftës së Ftohtë dhe deri në botën e sotme të errët të luftës kibernetike, sabotimit dhe konfliktit hibrid, Britania ka zhvilluar një ekspertizë të jashtëzakonshme institucionale. Teknologjia ndryshon, por bazat jo: durimi, imagjinata, maturia dhe profesionalizmi.

Ndoshta vlerësimi më domethënës erdhi nga Ralph Goff, ish-shefi i operacioneve të CIA-s për Evropën dhe Euroazinë. Vlerësimi i tij ishte i prerë: "Britanikët janë në krye për dosjen ukrainase. Ne jemi menjëherë pas tyre". Kjo mund të jetë shumë domethënëse nëse inteligjenca amerikane ka të drejtë për sulmet e afërta ruse.

Ajo fjali e vetme na tregon disi më shumë se çdo tabelë renditjeje e inteligjencës.

Fluturim i verbër pa inteligjencë

Britania e kuptoi shkallën e kërcënimit të Putinit përpara pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës nga Rusia. Ne e ekspozuam mashtrimin e Kremlinit, ndamë informacionet e inteligjencës me aleatët dhe armatosëm e stërvitëm ukrainasit kur të tjerët ende hezitonin. Pjesa më e madhe e kësaj pune domosdoshmërisht është zhvilluar larg kamerave televizive.

Edhe shërbimet e inteligjencës të vetë Ukrainës zënë një vend të rëndësishëm në vlerësimin francez, dhe me meritë. Katër vjet luftë i kanë shndërruar ata në disa nga organizimet më novatore dhe më të guximshme nga ana operacionale në botë. Aftësia e tyre për të depërtuar thellë në Rusi i ka detyruar planifikuesit ushtarakë, kudo, që të rishqyrtojnë se çfarë do të thotë në të vërtetë lufta moderne. Këtu ka një mësim për Uestminsterin.

Ndikimi strategjik i Britanisë nuk është varur kurrë vetëm nga madhësia e Forcave tona të Armatosura. Vjen nga ndërthurja e inteligjencës, aftësisë ushtarake, shkencës dhe teknologjisë me aleanca të besueshme. Ky kombinim na jep shtrirje shumë përtej përmasave të popullsisë ose ekonomisë sonë.

Kjo është arsyeja pse Uashingtoni tradicionalisht e ka dëgjuar Londrën. Kjo është arsyeja pse NATO-ja mbështetet te Britania. Dhe, kjo është arsyeja pse Moska na merr seriozisht.

Megjithatë, ekziston një shkëputje e jashtëzakonshme midis mënyrës se si aleatët tanë e shohin Britaninë dhe mënyrës se si disa politikanë vazhdojnë ta shohin mbrojtjen brenda vendit. Mbrojtja trajtohet tepër shpesh thjesht si një tjetër dikaster qeveritar që konkurron për para me shkollat, spitalet dhe transportin. Nuk është.

Mbrojtja është polica e sigurimit që u mundëson të gjitha këtyre gjërave të funksionojnë. Pa siguri nuk ka mirëqenie. Pa frenim nuk ka stabilitet. Dhe, pa inteligjencë, qeveritë thjesht fluturojnë verbërisht.

Sukseset më të mira të inteligjencës janë pa ndryshim ato për të cilat nuk dëgjojmë kurrë. Por, simbolika ka rëndësi.

Britania ka premtuar të shpenzojë 3.5 për qind të PBB-së për mbrojtjen deri në vitin 2035: Shpenzimet e mbrojtjes si pjesë e PBB-së

Aleatët tanë në fakt po i thonë Britanisë se, pavarësisht viteve të shkurtimeve dhe burimeve në pakësim, ne mbetemi të klasit botëror në një nga aftësitë më të rëndësishme nga të gjitha.

Përsosmëria nuk mund të merret si e mirëqenë. Burrat dhe gratë në MI6, MI5, GCHQ dhe në Forca të Armatosura nuk mund ta krijojnë aftësinë nga asgjëja. Atyre u duhen njerëz, teknologji, para dhe, mbi të gjitha, mbështetja politike.

Nëse ky vlerësim i papritur francez dhe paralajmërimet e reja nga inteligjenca amerikane i bindin ministrat se mbrojtja dhe inteligjenca janë investime dhe jo kosto, kjo do t'i ketë bërë Britanisë një shërbim të konsiderueshëm.

Sepse, në muajt dhe vitet e rrezikshme që na presin, shpërdorimi i njërës prej fushave të pakta në të cilat Britania mbetet ashiqare e klasit botëror nuk do të ishte thjesht kursim.

Në aspektin strategjik do të ishte moskokëçarje.

(Koloneli Hamish de Bretton-Gordon shërbeu si ndihmësdrejtor i Inteligjencës, Mbikëqyrjes dhe Zbulimit për Ushtrinë Britanike)

true