Please enter at least 3 characters.

Ibrahimi: Mbrojtja e pakicave është patriotizëm, sulmi ndaj tyre është tradhti

20:"Photo:RIDVAN SLIVOVA

Drejtori i Klubit të Biznesit, Ilir Ibrahimi, ka reaguar ashpër ndaj politikanëve që, sipas tij, po vënë në pikëpyetje themelet e shtetit të Kosovës duke sulmuar të drejtat e pakicave.

Në një reagim në Facebook, Ibrahimi thekson se shteti i Kosovës u bë i mundur falë urtësisë dhe guximit të lidershipit të atëhershëm, i cili pranoi kompromisin themelor: mbrojtjen e pakicave, veçanërisht të asaj serbe.

Ai kujton se këto të drejta janë garantuar që nga nenet e para të Kushtetutës dhe pa to Kosova nuk do të ishte sot shtet.

“Prandaj, të dalësh sot – gati tridhjetë vjet pas luftës – e të shesësh patriotizëm duke e vënë në pikëpyetje këtë themel, nuk është as guxim e as mençuri. Është qyqarllëk. Dhe nëse shikohet drejt, është tradhti ndaj Kosovës”, shkruan Ibrahimi.

Ai thekson se mbrojtja e pakicave është vetë thelbi i patriotizmit, ndërsa sulmi ndaj tyre përbën tradhti. Ibrahimi i bën paralelizëm historik, duke përmendur Ibrahim Rugovën dhe Hashim Thaçin, të cilët, sipas tij, gjetën forcën për të bërë kompromisin që solli shtetin. Ai pyet retorikisht: “Me çfarë të drejte sot këta politikanë të papjekur e vënë atë në rrezik?”

Drejtori i Klubit të Biznesit përfundon duke theksuar se kjo kohë nuk kërkon më gjak dhe armë, por mençuri, lidership dhe sakrificë politike: “Dikur u sakrifikua jeta për shtet. Sot duhet të sakrifikohen interesat e ngushta për mbijetesën e tij.”