Please enter at least 3 characters.

IA-ja po e ushqen ankthin në vendin e punës - reagimi ynë po e përkeqëson atë

Ilustrim
(Foto: Bob Al-Greene / Mashable)

Nga: Guy Winch, psikolog, folës në TED dhe autor librash për vetëndihmë - të bazuar në shkencë - që janë përkthyer në 30 gjuhë / Newsweek
Përkthimi: Telegrafi.com

Inteligjenca artificiale [IA] ka mbërritur në vendin e punës dhe ka sjellë me vete një ndjenjë të thellë pasigurie. Për shumë njerëz, ankthi nga IA-ja nuk është abstrakt. Një sondazh i fundit nga KPMG-ja zbuloi se - vetëm gjatë vitit të fundit - është dyfishuar frika për humbjen e vendit të punës nga automatizimi.

Ky ankth po bie mbi një fuqi punëtore tashmë të mbingarkuar. Sondazhet në shkallë të gjerë tregojnë vazhdimisht nivele të larta të stresit kronik dhe shterimit profesional. Shtoni presionet e një ekonomie të paqëndrueshme, shqetësimet e vazhdueshme për inflacionin. Dhe, lajmet pothuajse të përditshme për pushime masive nga puna kanë bërë që shumë punonjës të funksionojnë pranë kufijve të tyre psikologjikë.

IA-ja nuk e krijoi stresin në vendin e punës, por po e përforcon atë. Dhe, për shumë njerëz, frika shtesë po e shtyn stresin përtej nivelit që mund të menaxhohet në mënyrë produktive. Kur stresi kalon një prag të caktuar intensiteti, ne fillojmë ta menaxhojmë keq dhe, pa e kuptuar, e përkeqësojmë.

Në vend që t’i menaxhojmë me kujdes këto presione psikologjike, lejojmë që mekanizmat tanë automatikë të përballimit të marrin kontrollin dhe priremi drejt strategjive që ofrojnë lehtësim afatshkurtër emocional - shpërqendrime të shpejta që mpijnë shqetësimin në moment, por në fund e shtojnë stresin. Sa më të mbingarkuar të ndihemi, aq më keq e menaxhojmë stresin dhe kështu formohet një rreth vicioz.

Burimi ynë i zakonshëm i shpërqendrimit janë telefonat/ekranet tona, dhe përmes tyre - mediat. Ankthi rritet, mekanizmat tanë të zakonshëm të përballimit ndërhyjnë për të na larguar mendjen nga ndjenjat e pakëndshme ose frika, pasiguria dhe ankthi - dhe pa vendosur me vetëdije ta bëjmë këtë - duart tona shkojnë drejt telefonave.

Megjithatë, në vend që të qetësojë, mediat që zakonisht zgjedhim t’i konsumojmë vetëm i amplifikojnë ndjenjat nga të cilat po përpiqemi të shpëtojmë.

Kur njerëzit shqetësohen se IA-ja do t’i zëvendësojë, ata kanë më shumë gjasa të klikojnë në histori që parashikojnë humbje masive të vendeve të punës, të shikojnë videot - të cilat paralajmërojnë se profesionet e tëra janë të dënuara dhe të bien në vrima lepuri të onlajnit - të ushqyera nga zemërimi dhe frika. Algoritmet e shpërblejnë këtë sjellje me më shumë gjëra të njëjta - duke i mbajtur sistemet e tyre nervore në një gjendje kronike të alarmimit të lartë.

Rrjetet sociale e përkeqësojnë problemin në një mënyrë tjetër. Të shohësh paraqitje shumë të kuruara të “jetëve më të mira” të njerëzve të tjerë, kur ndihemi të shqetësuar, na bën të ndihemi edhe më keq - të dërrmuar, të papërshtatshëm, të vetmuar, të zemëruar dhe të viktimizuar.

Lëvizja teposhtë e gishtit në ekran dhe navigimi nëpër video të shkurtra nuk konsumojnë vetëm kohën e lirë. Ato i zëvendësojnë mënyrat më të shëndetshme, më të përshtatshme të përballimit - strategji që do ta reduktonin ankthin në vend që ta intensifikonin atë. Meqenëse ky menaxhim i keq i stresit ndodh kur jemi në autopilot, njerëzit shpesh nuk e kuptojnë se përpjekjet e tyre për përballim janë pjesë e problemit.

Ne nuk mund ta eliminojmë ankthin për IA-në. Disa shqetësime janë të natyrshme dhe racionale. Por, mund të shmangim përdorimin e mekanizmave të përballimit që e amplifikojnë atë ankth në mënyrë të panevojshme dhe të përdorim ato që na lejojnë të rifitojmë një ndjenjë veprimi dhe të ulim aktivizimin e vazhdueshëm. Më pas mund ta përdorim hapësirën e çliruar mendore për t’u rikuperuar, për t’u rimbushur - për të qenë të pranishëm në jetën tonë jashtë punës.

Në terma praktikë kjo do të thotë të jemi më të qëllimshëm në mënyrën se si i menaxhojmë emocionet tona dhe të bëjmë zgjedhje më të mençura për konsumimin e mediave. Kufizimi i lajmeve në një dritare të vetme, për 15 minuta në ditë, do të reduktonte aktivizimin kronik pa i lënë njerëzit të painformuar.

Përdorimi i mjeteve të integruara - si Koha e Ekranit [Screen Time] ose Mirëqenia Dixhitale [Digital Wellbeing] - për të kufizuar përdorimin e rrjeteve sociale, parandalon spiralet emocionale përpara se të marrin hov. Çaktivizimi i njoftimeve të imejlit të punës dhe kontrollimi i mesazheve një herë në mbrëmje - në një kohë që ne e zgjedhim - rikthen një ndjenjë kontrolli të cilën stresi e gërryen në heshtje.

Këta hapa nuk do ta eliminojnë ankthin, por mund ta ulin atë në një nivel që më pas mund të menaxhohet në mënyrë efektive me strategji më të shëndetshme dhe më të qëllimshme për përballim, si zgjidhja e problemeve.

Në vend që të bluajmë mendime për kërcënime të paqarta, punonjësit mund të identifikojnë se si ka më shumë gjasa që IA-ja të ndikojë në rolin e tyre dhe të zhvillojnë plane konkrete - të përditësojnë CV-në ose profilin LinkedIn, të zgjerojnë rrjetet profesionale, të krijojnë aftësi shtesë, ose të eksplorojnë mundësitë e rikualifikimit. Të kesh plane dhe plane rezervë, kjo e transformon ankthin nga një forcë paralizuese në një forcë motivuese.

Mbështetja sociale gjithashtu ka rëndësi. Të flasësh për frikën me kolegë, miq ose mentorë të besuar, ofron miratim dhe perspektivë. Ia kujton njerëzve se nuk po përballen të vetëm me këto pasiguri. Shqetësimi i përbashkët dhe ndjenjat e lidhjes krijojnë gjithashtu një tampon emocional dhe psikologjik kundër kërcënimeve të jashtme dhe rrisin ndjenjat e qëndrueshmërisë.

Kornizimi i përtërirë është një tjetër teknikë e fuqishme e menaxhimit emocional në dispozicionin tonë. Ankthi na predispozon për mendim katastrofik dhe skenarë të rastit më të keq që duken të pashmangshëm - por, rrallëherë janë të tillë. Një vlerësim i menduar, më i nuancuar, realist - që pranon si rrezikun ashtu edhe mundësinë - do ta reduktojë ndjeshëm ankthin.

IA-ja ka mbërritur, duke sjellë pasiguri dhe stres me vete. Por, ne nuk kemi nevojë t’i marrim me vete shoqëruesit e saj në udhëtimin tonë. Duke ndaluar veten nga ushqimi i pavetëdijshëm i ankthit dhe stresit, dhe duke përdorur mjetet tona psikologjike në mënyra më të shëndetshme dhe më efektive, mund të rifitojmë kontrollin e mendimeve tona, ndjenjave tona dhe jetës sonë. /Telegrafi/