Please enter at least 3 characters.

I dërguari amerikan thotë se sulmet e Rusisë kërcënojnë paqen që po e ndjek Trumpi

Administrata e presidentit amerikan, Donald Trump ka reaguar për herë të parë pas sulmeve të fundit ajrore të Rusisë ndaj kryeqytetit ukrainas, Kiev. Sulmi ndodhi gjatë natës dhe ka shkaktuar dëm të madh në zonat civile.

Keith Kellogg, i dërguari i posaçëm i Trumpit për Ukrainën, ka dënuar ashpër këto veprime të Kremlinit, raporton skynews.

"Objektivat e këtyre sulmeve nuk ishin ushtarë apo infrastruktura ushtarake, por zona të populluara nga civilë në Kiev - përfshirë trenat civilë, ndërtesa banimi, zyrat e misioneve të Bashkimit Evropian dhe të Mbretërisë së Bashkuar, si dhe vetë civilët e pafajshëm”, tha ai.

“Këto sulme të egra dhe të paprovokuara janë një kërcënim serioz për përpjekjet e presidentit Trump për të sjellë paqe dhe stabilitet në rajon", shtoi zyrtari amerikan.

Deklarata vjen në një kohë kur lideri amerikan është përfshirë në përpjekje diplomatike për t’i dhënë fund konfliktit midis Rusisë dhe Ukrainës, duke paraqitur veten si një lider që mund të negociojë një zgjidhje të shpejtë për luftën.

Sipas kampit të tij, ai synon një marrëveshje paqësore që do të ndalte menjëherë luftimet dhe do të ruante interesat e sigurisë për të gjitha palët e përfshira.

Megjithatë, sulmet e fundit të Rusisë duket se e komplikojnë këtë qëllim dhe ngrenë pikëpyetje mbi gatishmërinë e Moskës për t’u angazhuar seriozisht në dialog.

Kellogg përfundoi deklaratën duke i bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar që të dënojë ashpër sulmet ndaj civilëve dhe të mbështesë përpjekjet për një zgjidhje paqësore. /Telegrafi/