Brigada 63 e Serbisë u stërvit pranë kufirit, Hyseni kërkon reagim ndërkombëtar
Stërvitjet e sotme të Serbisë, të cilat u panë nga banorët në Kacarevë të Kosovës, u realizuan vetëm 300 metra larg vijës kufitare.
KosovaPress mëson se stërvitjet e kërcimit me parashutë nga helikopteri janë realizuar në fshatin Muhovc të Serbisë.
Sipas burimeve të Agjencisë, ato u kryen nga Brigada 63 e parashutistëve të Serbisë.
“Kjo njësi është e stacionuar në Nish, në aeroportin ‘Narednik-pilot Mihajlo Petrovic’”.
KP ka raportuar gjatë ditës për stërvitjet e pazakonta të cilat kanë shqetësuar banorët e fshatit Kacarevë.
Stërvitjet ushtarake të zhvilluara pranë kufirit me Republikën e Kosovës, kanë nxitur edhe reagimin e kryetarit të Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni.
Ai ka apeluar tek organet e sigurisë vendore dhe ndërkombëtare që të monitorojnë situatën me kujdes dhe të ndërmarrin veprime konkrete për garantimin e sigurisë dhe stabilitetit në rajon.
“Stërvitjet ushtarake të zhvilluara pranë kufirit me Republikën e Kosovës, në afërsi të Komunës tonë, janë shqetësuese dhe provokuese për qytetarët tanë. Prania e forcave ushtarake, mjeteve ajrore dhe aktiviteteve të tilla në zona të banuara krijon ndjenjë pasigurie dhe tensioni të panevojshëm, duke ndikuar drejtpërdrejt në jetën e përditshme të qytetarëve”, tha Hyseni.


