Please enter at least 3 characters.

Hoti: Kosova po ndërton një sistem të ri digjital të punësimit

Ministri i Punës, Andin Hoti theksoi sot se platforma ePunësimi do të transformojë mënyrën se si qytetarët kërkojnë punë, bizneset gjejnë punëtorë dhe institucionet ofrojnë shërbime.

Në kuadër të punëtorisë “Përmirësimi i Shërbimeve të Punësimit në Kosovë përmes Platformës Digjitale dhe proceseve të bazuara në evidenca”, u prezantua progresi i arritur në zhvillimin e platformës së re digjitale ePunësimi, e cila synon modernizimin dhe digjitalizimin e shërbimeve të punësimit në Republikën e Kosovës.

Në njoftimin e Ministrisë thuhet se përmes platformës ePunësimi:

  • Punëkërkuesit do të mund të aplikojnë online, të ndërtojnë profile profesionale dhe të marrin mbështetje për zhvillimin e karrierës;
  • Punëdhënësit do të kenë qasje më të shpejtë dhe më efikase në menaxhimin e vendeve të lira të punës dhe identifikimin e kandidatëve adekuatë;
  • Institucionet do të kenë një sistem të integruar dhe modern për ofrimin e shërbimeve publike.

“Një nga elementet kryesore të platformës është integrimi me institucionet relevante shtetërore, përfshirë Agjencinë e Regjistrit Civil, ATK-në, ARBK-në, Thesarin, eKosova dhe sisteme të tjera relevante, duke mundësuar automatizim të proceseve dhe rritje të besueshmërisë së të dhënave”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, integrimi i platformave ekzistuese si SIMP, Superpuna, KGenU dhe ueb-faqes së APRK-së në një sistem unik digjital do të krijojë një qasje të centralizuar dhe më funksionale për qytetarët, bizneset dhe institucionet. /Telegrafi/