Historia e shqiptarit që rrëzoi sulltanin, mori pushtetin… dhe u eliminua
Në vitin 1730, në zemër të Stambollit, një kryengritje e papritur tronditi themelet e Perandorisë Osmane, duke rrëzuar nga froni Sulltan Ahmetin III dhe duke i dhënë fund një periudhe të njohur si Epoka e Tulipanëve. Në qendër të kësaj ngjarjeje dramatike qëndronte një figurë me origjinë shqiptare – Patrona Halili.
I dalë nga radhët e jeniçerëve dhe larg elitave të pushtetit, Patrona Halili përfaqësonte pakënaqësinë e shtresave të ulëta dhe ushtarëve të thjeshtë në një perandori që po përballej me krizë ekonomike, sociale dhe politike. Brenda pak ditësh, ai arriti të mobilizojë zejtarë, ushtarë dhe qytetarë të pakënaqur, duke e kthyer revoltën në një kryengritje të organizuar.
Historianër rrëfejnë për Dosja Historike në RTV Dukagjini se ngjarjet kulmuan me rrëzimin e sulltanit dhe ekzekutimin e Damat Ibrahim Pasha, të cilin kryengritësit e konsideronin simbol të luksit dhe politikave të padrejta të kohës. Në vend të Ahmetit III, në fron u vendos Mahmuti I.
Për një periudhë të shkurtër, Patrona Halili u bë figura më e fuqishme në Stamboll. Edhe pse nuk mbante titull zyrtar, ndikimi i tij ishte i tillë që vendimet e tij kishin peshë më të madhe se vetë oborri perandorak. Ai refuzoi poste të larta shtetërore, por vazhdoi të ndikojë në emërime dhe vendime politike.
Kryengritja e vitit 1730 kishte rrënjë të thella. Shpenzimet e mëdha të elitës gjatë Epokës së Tulipanëve, taksat e rënda ndaj zejtarëve, humbjet territoriale dhe pakënaqësitë fetare krijuan një klimë shpërthyese në kryeqytet. Organizimi i revoltës, sipas burimeve historike, nisi në mënyrë të fshehtë në hamamet e qytetit, larg vëmendjes së autoriteteve.
Megjithatë, ngritja e shpejtë e Patronës nuk zgjati shumë. Brenda pak muajsh, elita osmane dhe oborri i sulltanit të ri organizuan eliminimin e tij. Ai u ftua në pallatin Topkapi me pretekstin e diskutimeve shtetërore, por aty u kap dhe u ekzekutua bashkë me përkrahësit e tij.
Pas vrasjes së tij, autoritetet ndërmorën masa të ashpra, veçanërisht ndaj komunitetit shqiptar në Stamboll, duke i larguar nga pozitat dhe duke shtypur çdo mundësi për kryengritje të re.
Figura e Patrona Halilit mbetet një nga episodet më të pazakonta në historinë osmane – një shqiptar i thjeshtë që arriti të rrëzojë një sulltan dhe të marrë kontrollin e kryeqytetit, por që u eliminua po aq shpejt sa u ngrit./TV Dukagjini


