“Historia e mërgimit dhe rivaliteti i nxehtë me Serbinë” – mediumi argjentinas me artikull të veçantë për Granit Xhakën
Mediumi argjentinas Canal26 i ka kushtuar një artikull të veçantë kapitenit të Zvicrës, Granit Xhaka, i cili arriti çerekfinalen në Kupën e Botës me “Helvetikët” pas plot 72 viteve.
Zvicra do të takohet me Argjentinën në çerekfinale orët e para të mëngjesit të ditës së diel (03:00), me kohën tonë locale.
“Futbollisti me prejardhje shqiptare, nuk është vetëm kapiteni i Zvicrës dhe një nga mesfushorët më të njohur në futbollin evropian. Ai është edhe pasqyra e një historie familjare të shënuar nga mërgimi, përndjekja politike dhe një identitet që nuk u shkëput kurrë nga Kosova”, shkruhet fillimisht në artikull.
Para përballje mes Zvicrës dhe Argjentinës në çerekfinalen e Botërorit 2026, emri i Xhakës është sërish në qendër të vëmendjes, jo vetëm për rolin e tij në fushë, por edhe për gjithçka që përfaqëson jashtë saj. Ndeshja do të zhvillohet të shtunën, më 11 korrik, në Kansas City Stadium dhe mund të shënojë një kapitull historik për futbollin zviceran.
Historia e vështirë familjare e Granit Xhakës
Për ta kuptuar Granit Xhakën, duhet parë shumë më larg se futbolli.
Babai i tij, Ragip Xhaka, ka lindur në Kosovë, një vend që për dekada u përball me tensione politike, etnike dhe territoriale në ish-Jugosllavi. Në rininë e tij, ai mori pjesë në demonstratat studentore kundër regjimit jugosllavo-serb dhe për këtë arsye u arrestua.
Sipas raportimeve të mediave evropiane, Ragip Xhaka u dënua me disa vite burg për pjesëmarrjen në ato protesta.
Burgu la gjurmë të pashlyeshme në familjen Xhaka. Ragipi kaloi vite në kushte jashtëzakonisht të rënda, duke ndarë qelinë me të burgosur të tjerë dhe duke pasur vetëm pak minuta në ditë për të dalë në ajër të pastër.
Në intervista të ndryshme për mediat ndërkombëtare, ai ka treguar se gjatë burgimit ishte subjekt i rrahjeve dhe torturave, një përvojë që më vonë u bë pjesë e rëndësishme e identitetit të djalit të tij.
Kjo histori rezistence, sakrifice dhe mbijetese shpjegon në masë të madhe karakterin e Granit Xhakës, një futbollist që shpesh është përshkruar për temperamentin e tij, por që ndërtoi një karrierë të bazuar mbi lidershipin, disiplinën dhe respektin për historinë e familjes së tij.
Mërgimi në Zvicër dhe një fillim i ri
Pas burgosjes së Ragip Xhakës dhe përkeqësimit të situatës në Kosovë, familja u detyrua të largohej dhe u vendos në Zvicër.
Granit Xhaka lindi në Bazel në vitin 1992, larg vendlindjes së prindërve të tij, por u rrit duke dëgjuar historitë e dhimbshme të familjes.
Nëna e tij, Elmaze Xhaka, luajti gjithashtu një rol vendimtar. Ajo punoi për vite me radhë së bashku me Ragipin për të siguruar një jetë më të mirë për familjen dhe për t’u dhënë fëmijëve një mundësi që ata vetë nuk e kishin pasur.
Xhaka ka treguar në intervista të ndryshme se që në fëmijëri mësoi të ishte i përgjegjshëm. Ndërsa prindërit punonin për orë të gjata, ai dhe vëllai i tij, Taulant Xhaka, kalonin shumë kohë vetëm në shtëpi.
Kjo fëmijëri jo e lehtë formësoi futbollistin që më vonë do të bëhej kapiten i Kombëtares së Zvicrës.
Historia e familjes Xhaka nuk është e vetme. Gjatë viteve ’80 dhe ’90, mijëra familje shqiptare nga Kosova emigruan drejt vendeve të Evropës Perëndimore, veçanërisht në Zvicër dhe Gjermani, për t’i shpëtuar represionit politik, paqëndrueshmërisë dhe më vonë luftës në Kosovë.
Nga kjo diasporë lindi edhe një brez futbollistësh që ndryshuan përgjithmonë identitetin e përfaqësueses zvicerane.
Kosova, Serbia dhe një plagë historike që arriti edhe në futboll
Rivaliteti mes Zvicrës dhe Serbisë nuk mund të shpjegohet vetëm nga aspekti sportiv.
Për futbollistë si Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri, të dy me prejardhje shqiptare nga Kosova, përballjet ndaj Serbisë kanë një ngarkesë shumë më të madhe emocionale dhe historike.
Kosova shpalli pavarësinë në vitin 2008, por Serbia vazhdon të mos e njohë atë, duke mbajtur të hapura tensionet mes dy vendeve. Momenti më i kujtuar ndodhi në Botërorin e Rusisë në vitin 2018.
Zvicra fitoi 2-1 ndaj Serbisë dhe Granit Xhaka shënoi një gol vendimtar. Gjatë festimit, ai formoi me duar simbolin e shqiponjës dykrenare, simbol i lidhur me flamurin kombëtar shqiptar. Të njëjtin veprim bëri edhe Xherdan Shaqiri, autor i golit të fitores.
Për shumë shqiptarë të Kosovës dhe Shqipërisë ky ishte një moment krenarie dhe identiteti, ndërsa për një pjesë të opinionit serb u konsiderua provokim.
Pas ndeshjes, FIFA i dënoi Granit Xhakën dhe Xherdan Shaqirin me nga 10 mijë franga zvicerane për sjellje josportive, megjithëse të dy vazhduan të luanin në turne.
Po ashtu, edhe Federata e Futbollit e Serbisë u gjobit për incidente të shkaktuara nga tifozët e saj, përfshirë mesazhe diskriminuese dhe hedhje objektesh gjatë ndeshjes.
Shqiponja dykrenare – simbol që shkoi përtej futbollit
Festimi me shqiponjën dykrenare u shndërrua në një nga imazhet më të fuqishme të Botërorit 2018.
Në aspektin sportiv ishte një festim goli, por në aspektin historik ishte një shprehje e identitetit dhe përkatësisë.
Granit Xhaka nuk festoi vetëm një gol. Ai kujtoi prejardhjen e familjes së tij dhe historinë që ajo kishte përjetuar.
Shqiponja dykrenare është simbol i flamurit shqiptar dhe përdoret gjerësisht nga diaspora shqiptare në mbarë Evropën si simbol i kujtesës, krenarisë dhe qëndresës kulturore.
Për këtë arsye, sa herë që Xhaka përballet me Serbinë, figura e tij merr një kuptim që shkon përtej futbollit. Ai bëhet simbol i një familjeje të mërguar dhe i një brezi që lindi larg Kosovës, por nuk i harroi kurrë rrënjët e veta.
Nga Baseli në elitën e futbollit evropian
Në aspektin sportiv, Granit Xhaka ka ndërtuar një karrierë të jashtëzakonshme. Ai e nisi rrugëtimin profesional te Baseli, përpara se të transferohej te Borussia Mönchengladbach.
Më pas veshi fanellën e Arsenalit, ku kaloi disa vite të rëndësishme. Ai mbajti edhe shiritin e kapitenit, fitoi trofe dhe përjetoi momente të vështira me tifozët, por arriti ta rikthente respektin falë paraqitjeve të tij dhe lidershipit në fushë.
Një nga periudhat më të suksesshme ishte ajo te Bayer Leverkusen.
Në vitin 2024 ai ishte pjesë e skuadrës që fitoi Bundesligën dhe Kupën e Gjermanisë, duke shkruar historinë e klubit gjerman.
Më pas, në vitin 2025, u rikthye në Premier League duke iu bashkuar Sunderlandit, ku solli eksperiencën dhe cilësinë e një prej mesfushorëve më të kompletuar në Evropë.
Zvicra përballë Argjentinës – Xhaka sërish në një skenë historike
Tashmë, Granit Xhaka do të udhëheqë Zvicrën në çerekfinalen e Botërorit 2026 ndaj Argjentinës.
Zvicra arriti në këtë fazë pasi eliminoi Kolumbinë pas penalltive, ndërsa Argjentina siguroi kualifikimin pas fitores dramatike ndaj Egjiptit.
Për Zvicrën, kalimi në gjysmëfinale do të ishte një arritje historike. Për Argjentinën, kampione në fuqi e botës, objektivi është mbrojtja e titullit./Telegrafi/


