Please enter at least 3 characters.

Sekretari amerikan i Luftës, Hegseth: Irani po afrohet me qëndrimin tonë në negociata

Sekretari amerikan i Luftës, Pete Hegseth, ka deklaruar se është “mjaft i bindur” se presidenti amerikan, Donald Trump do të arrijë një marrëveshje me Iranin.

Duke folur në Singapor gjatë Dialogut Shangri-La, një samit i mbrojtjes, ai përsëriti një qëndrim që e kishte shprehur edhe më herët kur u pyet se çfarë pret SHBA-ja nga Irani për të avancuar drejt paqes, shkruan skynews.

“Çdo marrëveshje që presidenti është i gatshëm të bëjë do të jetë vetëm ajo që ai beson se është një marrëveshje e shkëlqyer për vendin tonë dhe për botën. E keni parë këtë edhe nga mënyra se si ai ka folur publikisht. Kushtet tona nuk kanë ndryshuar fare. Sa më shumë që ata t’i afrohen këtij realiteti, aq më afër do të jemi një marrëveshjeje të tillë”, tha Sekretari.

Duke folur me gazetarët, Hegseth shtoi se Irani “e di shumë qartë se cilat janë pritshmëritë tona”.

“Ata po lëvizin në drejtimin tonë dhe bisedimet kanë qenë produktive. Ata e dinë se ku duhet të çojnë këto negociata dhe unë kam shumë besim te presidenti ynë, i cili arrin vetëm marrëveshje të shkëlqyera”, shtoi ai.

Hegseth u tha gjithashtu gazetarëve se Ngushtica e Hormuzit ishte një nga temat që u diskutua shpesh gjatë takimeve të tij me aleatët në samitin e mbrojtjes, por SHBA-ja i ka siguruar partnerët e saj lidhur me situatën në këtë zonë strategjike. /Telegrafi/